Miftari paralajmëron: Aksidentet shkaktohen nga mungesa e sinjalizimit në rrugë

Shkup, 5 nëntor – Në vendin tonë ka mungesë të sinjalizimiz në komunikacion dhe kjo e rrit rrezikun e aksidenteve, alarmon inxhinier i trafikut rrugor Refik Miftari, duke rikujtuar se shenjat e trafikut janë thelbësore për të udhëzuar shoferët.

“Diku kemi mungesë të sinjalizimeve 90%, qoftë ai sinjalizim horizontal, qoftë sinjalizim vertikal, ku kemi mjaftë pika të zeza sa u përket këtyre aksidenteve. Kemi investime por cilësia e tyre qoftë në cilësinë e asfaltit qoftë në cilësinë e projektimit, nuk kemi strategji afatgjate por kemi, por kemi strategji afatshkurta sa i përket cilësisë së asfaltimit, cilësisë së projektimit”, tha Miftari.

Sa i përket projektit “Safe City” tha se si ligjin për të e sheh si të pabalancuar dhe jo teknik, pasi që këto ligje kur sillen nga ministritë kanë mospërputhje logjike në përcaktimin e masave ndëshkuese.

“Kamerat mund të identifikojnë apo regjistrojnë shkeljet por nuk mund të zëvendësojnë sinjalistikën rrugore. Shenjat e trafikut janë thelbësore për të paralajmëruar dhe udhëzuar drejtuesit e automjeteve, nëse mungojnë shenjat siguria rrugore është seriozisht në pikëpyetje pavarësisht pranisë së teknologjisë, nëse duam të ndërtojmë vërtetë një qytet të sigurt teknologjia duhet të ecë krahë me krahë me rregullin, edukimin dhe infrastrukturën rrugore”, tha më tej Miftari.

Komunikacionin e rënduar sipas Miftarit do ta shpëtonte transporti i mirëfilltë publik, teksa shtoi se duhet të merren parasysh edhe ekspertët e jashtëm për projekte afatgjate dhe jo vetëm të gjobiten qytetarët. Ai po ashtu sugjeron që në shkolla të futen lëndë obligative për edukimin dhe sigurinë rrugore.