Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi se është i gatshëm të takohet me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, por theksoi se për të arritur paqe në Ukrainë, interesat e Rusisë duhet të merren parasysh.

Kremlini mohoi të premten spekulimet se Lavrov nuk gëzon më mbështetjen e presidentit Vladimir Putin, pas pezullimit muajin e kaluar të përpjekjeve për të organizuar një samit mes Putinit dhe Donald Trump.

Mediat ndërkombëtare raportuan se Uashingtoni anuloi samitin pasi Ministria e Jashtme ruse dërgoi një mesazh që sugjeronte se Moska nuk ishte e gatshme të hiqte dorë nga kërkesat e saj për Ukrainën. Financial Times citoi një burim sipas të cilit biseda mes Lavrovit dhe Rubios kishte ndikuar negativisht në qëndrimin amerikan.

“Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe unë e kuptojmë nevojën për komunikim të rregullt,” deklaroi Lavrov për agjencinë ruse të lajmeve RIA.

“Është e rëndësishme të diskutojmë çështjen e Ukrainës dhe të avancojmë agjendën dypalëshe. Prandaj, ne komunikojmë me telefon dhe jemi të gatshëm të zhvillojmë takime ballë për ballë kur është e nevojshme,” shtoi ai.