
Shkup, 10 nëntor – Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Komunës së Gostivarit dhe kandidati që mori më shumë vota në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, Valbon Limani, vlerëson se emërimi i një “të besuari qeveritar” është i paligjshëm. Në përgjigje të gazetarëve lidhur me paralajmërimet e kryeministrit për të caktuar në këtë komunë ushtrues detyre, Limani tha se ai dhe ekipi i tij do të kërkojnë të drejtën e tyre përmes rrugës ligjore.
Ai thotë se është zgjedhur ushtrues i detyrës së kryetarit të komunës në korrik të vitit të kaluar. Duke u thirrur në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, ai thotë se mandati i tij zgjat deri në zgjedhjen e kryetarit të ri në zgjedhje të rregullta. Ai shtoi se qytetarët tashmë e kanë thënë fjalën e tyre në zgjedhjet e 19 tetorit dhe se brenda 60 ditëve pritet të organizohen zgjedhje të përsëritura, ku qytetarët do të kenë sërish fjalën e fundit.
“Unë jam zgjedhur ushtrues detyre kryetar komune vitin e kaluar, në korrik, në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, nenin 54 dhe më pas nenin 4, i cili është ndryshuar ndërkohë dhe përcakton se mandati im zgjat deri në zgjedhjen e kryetarit të ri”, tha Limani.
Ai tha se beson fuqishëm në shtetin ligjor dhe se përmes rrugëve ligjore do të pres të kundërshtohet qëllimi i qeverisë për të vendosur një të besuar në Gostivar.
“Do të parashtrojmë iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për të përcaktuar nëse një vendim i tillë është kushtetues apo jo. Unë besoj se në fund të ditës qytetarët e thanë fjalën e tyre në zgjedhjet e 19 tetorit. Sipas ligjit, më së voni brenda rreth gjashtëdhjetë ditëve duhet të mbahen zgjedhjet e përsëritura, dhe fjala e fundit sërish do t’u takojë qytetarëve të Gostivarit. Në fund, besoj se Gjykata Kushtetuese do të vendosë nëse veprimi i qeverisë është i ligjshëm apo jo”, deklaroi Limani, ushtrues i detyrës së kryetarit të Komunës së Gostivarit.
Në zgjedhjet për kryetar komune në Gostivar, cenzusi nuk u arrit për rreth njëzet vota.

