Skiatorja kuqezi Lara Colturi është renditur e dyta në garën e sllallomit zhvilluar sot në pistën e Levi, në Finlandë. Një paraqitje e shkëlqyer e skiatores 19-vjecare, që ngjitet në podium në ditën e saj të lindjes, duke e festuar me një medalje këtë festë.

Pas dy zbritjeve, Lara Colturi dha kohën e përgjithshme 1’50”58, duke u renditur e dyta pas vetëm ikonës së garave me ski, amerikanes Mikaela Shiffrin (1’48″92). Në të dyja zbritjet, skiatorja kuqezi bëri një garë të fantastike, duke e merituar podiumin.

Pas zbritjes së parë, Colturi dha kohën 57”16, ndërsa në zbritjen e dytë skiatorja shqiptare regjistroi kohën 53”42, duke mbrojtur këtë pozicion. Ajo arriti ta mbrojë vendin e dytë që kishte pas zbritjes së parë, duke qenë konstante në të dyja zbritjet.

Stërvitja e kryer javët e fundit duket se dha frutet e saj, pasi Colturi ishte mjaft e shpejtë, e përqendruar në garën e saj dhe nuk bëri asnjë gabim. Një sezon që ka nisur mjaft mirë për skiatoren e re, që përgatitet edhe për Olimpiadën e shkurtit në Cortina.

The post Shkëlqen Lara Colturi, renditet e dyta për ditëlindje në pistën e Levi, në garën e sllallomit appeared first on Telesport.