Toshkovski konfirmon se është arrestuar Fehmi Stafa, ish-Avokat i Shtetit

Ish-Avokati i Shtetit, Fehmi Stafa, është arrestuar dje nga Ministria e Punëve të Brendshme me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Këtë sot e konfirmoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas hapjes së stacionit policor të rindërtuar në Butel.

“Gjatë ditës së djeshme, MPB në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, ka ndërmarrë veprime në kuadër të kompetencave të saj, me ç’rast personi që përmendët është arrestuar nga MPB,” deklaroi Toshkovski.

Ai shtoi se më shumë detaje për rastin do të publikohen së shpejti, duke theksuar se institucionet po veprojnë sipas udhëzimeve të Prokurorisë Publike.

“Gjatë ditës së sotme po veprojmë në bashkëpunim me Prokurorinë Publike, sipas udhëzimeve të tyre, prandaj në këtë moment nuk mund të jap më shumë detaje lidhur me këtë lëndë. Së shpejti do të ketë informacione për publikun, si nga MPB ashtu edhe nga Prokuroria Publike,” shtoi Toshkovski.

Ai theksoi se veprimi i përbashkët i MPB-së dhe Prokurorisë Publike tregon se është e mundur një funksionim ndryshe në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ndryshe nga “praktika e shpeshtë në të kaluarën”.