Është privuar nga liria ish-avokati i shtetit Fehmi Stafa. Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se arrestimi është bërë me urdhër të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pasi Stafa u kap me 50.000 euro që i kishte pranuar si ryshfet për të ndikuar tek një gjykatës.
MPB & PROKURORIA
“Në periudhën nga tetori deri më 13.12.2025, i dyshuari ka pranuar një shumë totale prej 50.000 eurosh për të ndërmjetësuar dhe për të përdorur ndikimin e tij real për të ndërhyrë tek një gjykatës në Gjykatën e Apelit të Shkupit dhe përmes ryshfetit tek gjykatësi të ndikojë që të kryhet një veprim zyrtar që nuk duhej të kryhej”, thonë nga
Sipas njoftimit të policisë dhe prokurorisë, i dyshuari fillimisht kishte kërkuar 100.000 euro për të ndikuar në heqjen e masës së paraburgimit të vendosur ndaj një personi të pakapshëm nga organet e ndjekjes dhe kundër të cilit Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po zhvillon një procedurë tjetër për vepra penale kundër financave publike, pagesave dhe ekonomisë.
MPB & PROKURORIA
Më 06.10.2025, ai pranoi pjesë të shumës së kërkuar, konkretisht 30.000 euro, të cilat ia dorëzoi motra e personit në arrati. Më 13.12.2025, ai kërkoi dhe pranoi direkt edhe 20.000 euro të tjera si pjesë të ryshfetit që kishte kërkuar për t’ia dhënë gjykatësit. Menjëherë pas pranimit të parave, i dyshuari u arrestua dhe tek ai u gjetën paratë.
Nga prokuroria njoftojnë se deri te gjykatësi i procedurës paraprake pranë Gjykatës Penale të Shkupit është dorëzuar propozim paraburgimin e të dyshuarit, për shkak të rrezikut për arratisje, mundësinë për kryerjen e veprave të tjera penale ose për të ndikuar në procedurë.
Përndryshe, Stafa ka qenë Avokati i Shtetit nga gushti i vitit 2018 deri në gusht të vitit 2022, kur u shkarkua. Gjatë asaj periudhe, ai paraqiti kallëzim penal kundër drejtorit të Policisë Financiare dhe prokurorit publik të Shkupit lidhur me rastin “Trust” dhe konfiskimin e pasuksesshëm të pasurisë së sekuestruar të Sead Koçanit. U hetua gjithashtu edhe sjellja pasive e Avokaturës së Shtetit në mbrojtjen e pasurisë shtetërore të fituar me konfiskim. Pas largimit nga ky post, Stafa ushtroi profesionin si avokat, ndërsa së fundi ishte kandidat për anëtar të Këshillit Gjyqësor.
