Gropa në çdo një metër, asfalt i plasaritur, pjesë-pjesë aspak i rrafshët.
Kjo është gjendja e rrugës rajonale Kërçovë-Demir Hisar, e cila është tejet e frekuentuar pasi që lidh shumë qytete, por që gjatë vjeshtës dhe dimrit bëhet e rrezikshme.
“Ndodhemi në rrugën regjionale Kërçovë-Demir Hisar kjo rrugë është shumë e frekuentuar megjithatë 20 km e para nga Kërçova drejt Demir Hisarit janë në gjendje të mjerueshme, siç mund ta shihni, janë hapur gropa të mëdha është e arnuar në çdo cep dhe në kohë me shi kjo është shumë e rrezikshme pasi që drejtuesit e makinave nuk mund ti shohin ku janë gropat pasi që ato mbushen me ujë. Kjo rrugë është premtuar disa herë që nga viti 2020 për asfaltim, megjithatë deri më tani nuk është ndërmarrë asgjë”, raporton gazetara e TV21, Salije Sadiku Pinjolli.
Për këtë pyetëm Ndërmarrjen Publike “Rrugët Shtetërore” nga ku na thanë se kanë përgatitur projekt për këtë rrugë por ende nuk dihet nëse do të sigurohen mjete për të njëjtin.
“Është projektin për rehabilitimin e rrugës rajonale Kërçovë (Drugovë) – Demir Hisar (Sladuevë) – Manastir (Lopaticë), që përfshin rehabilitimin e një traseje me gjatësi 45.3 kilometra, me një investim të parashikuar prej 14 milionë eurosh. Me këtë investim do të sigurohet qarkullim më i shpejtë dhe më i sigurt ndërmjet tre komunave, do të lehtësohet transporti i mallrave dhe shërbimeve dhe do të kontribuohet në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Kërçovës, Demir Hisarit, Manastirit dhe rajonit më të gjerë”, thonë nga NP “Rrugë Shtetërore”.
Megjithatë, aktualisht Programi Vjetor i Ndërmarrjes për vitin 2026 është ende në përgatitje dhe nuk është final, prandaj nuk mund të thuhet nëse do të ketë fonde të sigurta për projektin ose nëse ai do të mbetet te rubrika “nëse sigurohen mjete”.
Kujtojmë se në vitin 2020 nga ish-drejtori i “Rrugëve shtetërore” Zoran Kitanov premtoi 300km rrugë rajonale në pjesën jugperëndimore të vendit ku ishte e përfshirë edhe rruga Kërçovë-Demir Hisar, por kjo pjesë nuk u prek aspak dhe qëndron si e tillë prej vitesh.
