Objekti i ri i Gjimnazit “Sami Frashëri” në Kumanovë ende është në ndërtim! Pak punëtorë pamë duke punuar tek godina e ish-kazermës, ndonëse autoritet thonë se po punohet me intensitet të lartë.

Në pritje të objektit të ri, nxënësit e shkollave të mesme tani e 20 vite po mësojnë në kushtet të këqija.

Anekset e shtuara në 12 vitet e fundit, në pjesën e pasme të objektit më tepër i ngjajnë një magazine.

Drejtori i gjimnazit, Nagri Rexhepi tha se vazhdimisht kanë dërguar ankesa drejt Komunës dhe Ministrisë së Arsimit, ngaqë objekti ndahet edhe me paralelet teknike dhe një pjesë e tyre mësojnë edhe nëpër objekte modulare. Por, as paralelet e gjimnazit nuk i plotësojnë as kushtet bazike. Vetëm gjimnazi ka 28 paralele me gjithsej 565 nxënës mësojnë në dy turne nga viti parë në të katërtin.

“Nuk i plotëson kushtet, por meqë ishim përkohësisht ishte në rregull të punonim një vit apo dy, por kjo zgjati dhe kushtet nuk i plotëson sepse klasat nuk janë adekuate, hapësira nuk kemi, sallë sporti nuk kemi, kabinete nuk kemi dhe është i ngushtë si hapësirë, oborr nuk kemi del drejt në bulevard. Kushtet për një shkollë të mesme nuk i plotëson ky objekt por meqë ishim përkohësisht ne kemi punuar kështu”, deklaroi Nagri Rexhepi – drejtor i Gjimnazit “Sami Frashëri” – Kumanovë.

Në objektin e ri janë paraparë kabinete, klasa bashkëkohore, zyra administrative dhe fushë sportive etj.
Nga Ministria e Arsimit thonë se objekti do të jetë gati për vitin e ri shkollorë në shtator të 2026. Zëvendësministri Lulzim Aliu tha se në tre vitet e fundit ministria ka ndarë gjithsej 5,2 milionë euro – por kjo nuk mjafton!

“Atje punimet janë thuajse nga fundi, planifikohet që brenda vitit 2026 Ministria Arsimit ta transferoj në kompetencë Komunës së Kumanovës dhe më pas ajo të bëjë përfundimin dhe ta vë në përdorim në vitin e ardhshëm shkollorë. Dhe është pastaj detyrë e komunës për pajisjen dhe menaxhimin e objekti ne si Ministri dërgojmë informacion në Qeveri dhe atje sillet vendim që kjo ti kaloj si pronë komunës”, theksoi Lulzim Aliu – zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës.

Dikur ishin ambientet e ish-kombinatit bujqësor. Për një kohë të gjatë mbeti e pa përdorur si një ndërmarrje shtetërore e falimentuar. Që nga viti 2004 ky objekt i shndërrua në shkollë të përkohshme, me ndarjen e paraleleve shqiptare nga gjimnazi “Goce Dellçev” i Kumanovës. Për më shumë se dy dekada u ndërruan shumë ministra shqiptarë të arsimit, me premtime të njëjta që do të gjendet një zgjidhje e përhershme për nxënësit kumanovarë, të cilët ende po presin.