Detaje të reja kanë dalë në dritë nga sulmi me armë zjarri që tronditi Australinë të shtunën, ku 16 persona, përfshirë edhe një fëmijë, humbën jetën në Bondi Beach.

Ngjarja e përgjakshme ndodhi në kohën kur në zonë po zhvillohej një aktivitet publik për shënimin e fillimit të festës hebraike Hanukkah, ndërsa policia e New South Wales ka bërë të ditur se rasti po trajtohet si një akt terrorist dhe dyshohet se autorët ishin anëtarë të ISIS.

Sipas autoriteteve, në sulm ishin të përfshirë dy persona, babë e bir. Njëri prej tyre, një burrë 50-vjeçar, i cili u qëllua nga efektivët e policisë dhe ndërroi jetë në vendngjarje. Autori i dytë, djali i tij 24-vjeçar, mbeti i plagosur rëndë dhe ndodhet në spital nën mbikëqyrje të rreptë policore.

Komisioneri i Policisë së New South Wales, Mel Lanyon, deklaroi se hetimet kanë përparuar gjatë natës dhe se autoritetet nuk po kërkojnë më persona të tjerë të përfshirë në sulm.

“Dy autorët ishin babë e bir, përkatësisht 50 dhe 24 vjeç. 50-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa 24-vjeçari ndodhet në gjendje kritike në spital”, tha Lanyon.

Lanyon, bëri të ditur po ashtu se autori 50-vjeçar i cili u vra në vendngjarje ishte posedues i licencuar i armëve të zjarrit.

Gjatë natës, policia ka kryer dy kontrolle me urdhër gjykate në lagjet Bonnyrigg dhe Campsie, në pjesën perëndimore të Sydney-t, si pjesë e hetimeve për sulmin e armatosur në Bondi Beach.

Sipas Lanyon, 50-vjeçari kishte të regjistruara në emrin e tij gjashtë armë zjarri dhe dyshohet se të gjashta këto armë janë përdorur edhe gjatë sulmit në Bondi Beach.

Komisioneri theksoi se çështja do të hetohet në mënyrë të plotë dhe të detajuar për të zbardhur rrethanat se si armët janë përdorur në këtë ngjarje të rëndë.