Australia është tronditur nga një sulm terrorist i përgjakshëm në plazhin Bondi të Sidneit, ku babai dhe djali i tij hapën zjarr gjatë një feste hebraike Hanukkah, duke lënë 16 viktima.

Sipas autoriteteve, sulmi u krye nga 50-vjeçari Shahid Akram dhe djali i tij 24-vjeçar, Navid Akram, me origjinë nga Lahore i Pakistanit. Ata hapën zjarr ndaj pjesëmarrësve në aktivitetin “Hanukkah by the Sea”, duke shkaktuar viktima mes fëmijëve, rabinëve dhe qytetarëve të pafajshëm.

Si u planifikua sulmi

Hetimet paraprake tregojnë se akti terrorist ishte planifikuar për javë të tëra. Dyshohet se baba e bir kishin marrë me qira një apartament Airbnb rreth 30 minuta larg Bondi Beach, ku kishin qëndruar për rreth dy javë përgatitje. Policia ka kontrolluar banesën dhe ka gjetur pajisje shpërthyese të improvizuara.

Autoritetet po hetojnë lidhje të mundshme me Shtetin Islamik (ISIS). Sipas mediave australiane, flamuj të ISIS u gjetën në automjetin e përdorur nga autorët, ndërsa 24-vjeçari kishte studiuar më parë në një qendër islamike dhe ishte shfaqur në materiale ku vlerësohej për njohuritë e tij fetare. Raportohet gjithashtu se dyshja kishte kaluar rreth një muaj në Filipine, vend i konsideruar nga shërbimet e sigurisë si vatër e aktivitetit ekstremist.

Për të mos ngritur dyshime, autorët u kishin thënë familjarëve se po udhëtonin drejt jugut për peshkim. Nëna e 24-vjeçarit ka deklaruar për mediat se i biri e kishte telefonuar pak para sulmit, duke i folur për aktivitete të zakonshme në plazh.

50-vjeçari kishte leje armëmbajtjeje prej vitesh, ishte anëtar i një klubi qitjeje dhe posedonte gjashtë armë zjarri, të cilat dyshohet se janë përdorur në sulm.

Viktimat

Mes viktimave janë një vajzë 10-vjeçare, dy rabinë, një i mbijetuar i Holokaustit dhe një shtetas francez. Viktima më e re, Mathilde, 10 vjeç, u përkujtua nga familjarët si një humbje e pazëvendësueshme.

U vra gjithashtu ish-oficeri i policisë Peter Megger, i cili ndodhej në plazh për fotografi; Tibor Witzen, që humbi jetën duke mbrojtur bashkëshorten; rabinët Eli Schlanger dhe Yaakov Levitan; Alex Kleitman, 87 vjeç, i mbijetuar i Holokaustit; Reuben Morrison, asistent në sinagogën lokale; si dhe 27-vjeçari francez Dan Elkayam, i cili ishte zhvendosur në Australi për punë.

Autoritetet australiane kanë shpallur masa të shtuara sigurie, ndërsa hetimet për motivet dhe rrjetin e mundshëm pas sulmit vijojnë.

The post Masakra në Australi/ Si e planifikuan babai dhe i biri sulmin terrorist? appeared first on Alsat.