Tani e dy ditë banorët e Seravës së Çairit kanë mbetur pa rrymë. Nga revolta ata dolën dhe bllokuan rrugën, ngaqë defekti i rrjetit nuk po sanohet. Thonë se do të protestojnë çdo ditë në periudhën më të ngarkuar të ditës.

“Për 3 orë rresht po qëndron e bllokuar rruga më e frekuentuar e Shkupit, e njohur si rruga e Plastikave, kjo për arsye se banorët kanë dalë të protestojnë dhe thonë se nuk do heqin dorë derisa të rregullojnë problemin me energjinë elektrike që sipas tyre tani e 48 orë janë pa rrymë dhe janë detyruar të evakuojnë pleqtë dhe fëmijët nga shtëpitë e tyre”, raporton gazetari i TV21, Adnan Qaili.

Qindra banorë që kanë bllokuar rrugën thonë se nuk e kanë ndërmend të heqin dorë, deri sa të sanohet defekti. Ata dyshojnë se defekti është i qëllimshëm për t’ua ndalur rrymën në netët e ftohta dhe në prag të festave.

“Njerëz të paralizuar, ka fëmijë e dridhen gjithë natën, janë me maska oksigjeni që aktivizohen me rrymë, duhet të mbijetojnë disi! Sa shtëpi ka përafërsisht? Rreth 300 në lagjen Serovë, Gazi Babë, Pllastikat. Ja këta paguajnë nga 1,200 euro, që vëllau ku është, ky person paguan 1,200 euro rrymë”, u shpreh një banor

“Fëmijët shkojnë në shkollë e në terr nuk kanë si të lexojnë, turp është ky në Shekullin XXI mos të ketë rrymë. Sa banorë ka në këto lagje? Ka 700-800 banorë por edhe Dyqanxhiku arrin në 1,000 banorë”, tha nje banor tjetër.

“Gjysma këtu i kanë orëmatësit jashtë por edhe neve na kanë ndal një fazë dhe çfarë është kjo që sa herë vjen VMRO në qeveri kështu bënë. Kjo është e vërtetë! Sa herë që vjen kështu na bëjnë dhe këtë mesazh po ju dërgoj politikanëve tanë”, shtoi një tjetër banor.

Nga EVN thonë se defekti në lagjen Seravë ka ndodhur që nga e diela dhe nuk dihet kur do të sanohet.

“Për një periudhë më të gjatë banorët e rrugëve “Ismail Kadare” dhe “Kumbara” e pengojnë projektin për rikonstruimin e rrjetit dhe zhvendosjen e orëmatësve. Ndaj ekipeve të kompanisë vazhdimisht drejtohen kërcënime verbale, me çka u pamundësohet tërësisht funksionimi”, thonë nga EVN-Home.

Nga EVN shtojnë se për sa kohë që ekipet nuk kanë qasje për realizimin e projektit për rikonstruimin e rrjetit të tensionit të ulët, do të jetë e pamundur të sanohen defektet, të cilat sipas tyre do të vazhdojnë të shfaqen edhe në të ardhmen si pasojë e mbingarkesës nga kyçjet ilegale. Sipas elektro distributorit EVN-Home në këtë rajon, humbjet tejkalojnë 70%, ndërsa pagesa është 60% të konsumit të rrymës.