Në vend të dënimit prej një viti e gjysmë burg të shqiptuar nga Gjykata Themelore në Tetovë, dy ish-drejtorët e Spitalit Klinik të Tetovës do të vuajnë nga tre vjet burg secili, përcjell TV21. Gjykata e Apelit në Gostivar ka marrë vendim me të cilin ka dyfishuar dënimet me burg për Florin Besimin dhe Artan Etemin, lidhur me zjarrin në spitalin modular në Tetovë, ku humbën jetën 14 persona.

“Aktgjykimi është ndryshuar në pjesën e vendimit për sanksionin penal dhe në pjesën e vendimit për kërkesën pasurore-juridike, ashtu që të pandehurit F.B. dhe A.E., të cilët me aktgjykimin e shkallës së parë janë shpallur fajtorë për veprën penale Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, janë dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej nga 3 vjet secili, ndërsa personi juridik Qendra Klinike – Tetovë, që me aktgjykimin e shkallës së parë është shpallur fajtor për veprën penale Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, është dënuar me gjobë prej 1.300.000 denarë”, thonë nga Gjykata e Apelit në Gostivar.