
Shtëpizat e Vitit të Ri, të vendosura në qendër të Strugës, nuk qëndruan as dy ditë, pasi për shkak të numrit të madh të parregullsive, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë i mbylli. Panairi i Vitit të Ri në këtë komunë dështoi që në nisje. Nga nisma qytetare “Struga vepron”, thonë se menjëherë pas vendosjes së shtëpiza reaguan në Agjencinë e Ushqimit, duke kërkuar marrjen e masave të nevojshme lidhur me kushtet higjienike.
Në përgjigjen që Alsat e mori nga Agjencia e Ushqimit thuhet se gjatë një kontrolli të jashtëzakonshëm inspektues është konstatuar se 9 shtëpiza nuk ishin të regjistruara si operatorë në Agjenci.
“Një pjesë e shtëpiza nuk janë të lidhura me ujësjellësin e qytetit, nuk është kryer dezinfektim, dezinsektim e deratizim, ndërsa personat e punësuar që vijnë në kontakt me ushqimin nuk kanë kryer kontrolle shëndetësore sanitare. Ata kanë kryer shkelje dhe janë ndëshkuar. U shqiptuan gjoba dhe vendime për ndalim të ushtrimit të veprimtarisë deri në plotësimin e kushteve”, deklaroi Oliver Milanov – drejtor i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
Millanov thotë se gjobat lëvizin nga 300 deri në 3000 euro. Ai paralajmëroi se do të kryejnë kontroll shtesë edhe në komunën e Strugës për të konstatuar mënyrën se si këto shtëpiza ishin dhënë me qira nga ana e tyre. Kryetari i komunës së Strugës Mendi Qyra, pretendon se gjithçka ka qenë në rregull.
Vetëm një javë para Vitit të Ri, Struga është ndër qytetet e vetme që ende nuk është zbukuruar. Autoritetet lokale thonë se arsyeja e vonesës ka qenë tenderi, por sigurojnë se nga sot do të nisë zbukurimi. /Alsat.mk
