Medon Berisha po jeton momentin më të artë të karrierës së tij në Serie A. Pa komplekse dhe me personalitet të fortë, mesfushori kuqezi është shndërruar në një pikë referimi te Lecce, duke marrë rolin e liderit absolut në repartin e mesfushës.

Titullar i padiskutueshëm dhe gjithnjë vendimtar në lojë, Berisha ka shtuar edhe eficiencën në zonën kundërshtare. Me 2 gola të shënuar dhe 3 asiste të dhuruara, ai ka treguar se ndikimi i tij nuk ndalet vetëm te ndërtimi i aksioneve, por shtrihet edhe te finalizimi.

Në ambientet e Lecces ka optimizëm dhe besim maksimal te mesfushori shqiptar, i konsideruar tashmë një “xhevahir” i vërtetë i klubit. Edhe pse një dëmtim e frenoi përkohësisht, drejtuesit presin rikthimin e tij sa më shpejt në nivelin që e bëri protagonist absolut në javët e para të kampionatit.

Rritja e Berishës reflektohet qartë edhe në treg. Në fillim të sezonit, kartoni i tij vlerësohej 1,5 milionë euro, ndërsa sipas përditësimit më të fundit të “Transfermarkt”, vlera e tij ka kapur shifrën e 6 milionë eurove. Një rritje prej 4,5 milionë eurosh në vetëm pak muaj, që flet qartë për sezonin e jashtëzakonshëm që ai po zhvillon.

Para dëmtimit, Berisha u shpall për tre ndeshje radhazi lojtari më i mirë i takimit, duke konfirmuar formën e lartë dhe rëndësinë e tij në skuadër. Te Lecce tashmë “fërkojnë duart”, ndërsa rritja e tij është lajm i mirë edhe për kombëtaren shqiptare.