Pasi Gjykata Themelore në Tetovë vendosi që dy ish-drejtorët e Spitalit Klinik të Tetovës do të vuajnë nga tre vjet burg secili, ka reaguar Blerim Sejdiu nga VLEN, që siç tha, u dënuan personat që nuk kishin pushtet për ta ndaluar tragjedinë, që sipas tij, ata që kanë përgjegjësi janë ende të lirë, përcjell TV21.
Sejdiu tha se “drejtësia që ndëshkon të pafajshmit për të mbrojtur të fuqishmit, nuk është drejtësi”.
“”Drejtësia” për spitalin modular në Tetovë
Sot, në emër të drejtësisë, po dënohen njerëz që nuk vendosën, nuk projektuan, nuk mbikëqyrën dhe nuk kishin pushtetin për të ndaluar tragjedinë e spitalit modular në Tetovë.
Ata nuk hapën tenderë.
Ata nuk përcaktuan standarde ndërtimi.
Ata nuk kishin përgjegjësi për mbikëqyrje.
Dhe megjithatë, sot po mbajnë barrën e fajit.
Ndërkohë, ata që kishin pushtetin real, që firmosën, që vendosën dhe që heshtën, janë ende të lirë.
Kjo është goditje e dyfishtë:
një herë për viktimat,
dhe një herë për drejtësinë.
Sepse drejtësia që ndëshkon të pafajshmit për të mbrojtur të fuqishmit, nuk është drejtësi.
Është padrejtësi e ftohtë, e kalkuluar dhe e qëllimshme.
Nëse fajtorët e vërtetë nuk mbajnë përgjegjësi, atëherë kjo tragjedi nuk ka marrë vetëm jetë njerëzish, ka djegur edhe besimin në shtet”, ka shkruar Sejdiu.
