Elseid Hysaj është gjithnjë e më pranë largimit nga Lazio, teksa ka hyrë zyrtarisht në gjashtëmujorin e fundit të kontratës së tij dhe tashmë ka të drejtë të negociojë lirshëm me çdo klub tjetër për të ardhmen.
Mbrojtësi shqiptar ishte përjashtuar nga listat e skuadrës për kompeticionet kombëtare dhe ndërkombëtare, por rregullorja i jep mundësinë që, për një periudhë të kufizuar kohore, të jetë sërish i disponueshëm për klubin kryeqytetas.
Sipas rregullave në fuqi, gjatë merkatos së dimrit listat në Serinë A janë të hapura, çka do të thotë se Hysaj mund të aktivizohet për sa kohë që rezulton ende i regjistruar si lojtar i Lazios. Për këtë arsye, ai pritet të vihet sërish nën urdhrat e trajnerit Maurizio Sarri në ditët në vijim, për të marrë pjesë në përgatitjet për ndeshjet e ardhshme dhe, në rast nevoje, edhe për t’u aktivizuar në fushë.
Megjithatë, mediat italiane theksojnë se, ndonëse ekziston kjo mundësi teknike, nuk ka sinjale se Lazio do ta riintegrojë Hysajn në mënyrë të qëndrueshme në listat për pjesën e dytë të sezonit. Klubi nuk e konsideron mbrojtësin pjesë të planeve afatgjata dhe po kërkon t’i gjejë sa më shpejt një zgjidhje.
Një tjetër faktor i rëndësishëm lidhet me aspektin financiar. Lazio shpreson që Hysaj të pranojë një ofertë qysh në muajin janar, për të shmangur pagesën e plotë të pagës së tij, pasi lojtari do të përfitonte rreth 1.4 milionë euro për gjysmën e dytë të sezonit edhe nëse nuk do të aktivizohej asnjë minutë me fanellën bardhekaltër.
The post E ardhmja e Hysajt te Lazio shpëton momentalisht, mbrojtës i Kombëtares shqiptare mund të rikthehet në ekip me bardhekaltrit appeared first on Alsat.
