As dy kontrollet e rregullta dhe as katër kontrollet e jashtëzakonshme dhe të pa paralajmëruara të çimentores “TITAN Usje” nga ana e institucioneve kompetente shtetërore dhe lokale nuk kanë konstatuar se fabrika ndikon në rritjen e ndotjes së ajrit në Shkup. Gjashtë kontrollet, nga të cilat dy janë kryer në dy muajt e fundit të vitit 2025, kanë treguar se parametrat që janë matur nuk devijojnë nga ato të përcaktuara me Lejen e Integruar Ekologjike A. Sot, nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit theksuan se fabrika ka monitorim 24/7 dhe se këto të dhëna dërgohen në një laborator të akredituar në Gjermani.
“Është e vërtetë që USJE ka monitorim 24/7, ku ka një pajisje të veçantë që është nga një laborator gjerman i akredituar, dhe ata nuk kanë mundësi t’i rregullojnë vetë shifrat, ndërsa këto raporte i publikojnë në faqen e tyre. Që të jemi më transparentë, së bashku me drejtorin dhe ministrin e Mjedisit po bëjmë përpjekje, fillimisht po koordinohemi mes vete që të mundemi, në një farë mënyre, t’i kërkojmë subjektit juridik informacione, në mënyrë që këto raporte t’i shohim paralelisht edhe ne nga Inspektorati edhe Drejtoria, me qëllim që të jemi më transparentë ndaj qytetarëve dhe tani edhe ndaj jush, mediave”, tha Ivana Ginovska, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit.
Dhe meqë, sipas autoriteteve, USJE punon në përputhje me Ligjin dhe rregullat dhe nuk ka bazë për heqjen e Lejes së Integruar A, mbetet e hapur çështja se si do të veprojë Qeveria pas rekomandimit të Këshillit të Qytetit të Shkupit për dislokimin e çimentores.
“Vlerësoj se një gjë është ajo që do të sillet si vendim, rekomandim ose do të miratohet në Këshillin e Qytetit të Shkupit, por tjetër është mënyra se si Qeveria i qaset zgjidhjes së problemeve, si bisedon për to dhe cilat janë institucionet që duhet të ndërmarrin masat dhe procedurat përkatëse, që të arrijmë në çfarëdo zgjidhjeje. Po, ne thamë se nëse ajo rekomandim arrin në Qeveri, nëse ky është përfundimi i këshilltarëve në Qytetin e Shkupit, si Qeveri do të ulemi dhe do t’i shqyrtojmë të gjitha mundësitë që do të jenë në dispozicion”, u shpreh Maria Miteva, yëdhënëse e Qeverisë së Maqedonisë.
Në Shkup janë 40 kompani me Leje të Integruar A, ndërsa gjithsej në vend janë 120. Që kjo leje të hiqet, duhet që në tre raste të vërtetohet përfundimisht se janë shkelur rregullat e lejes. Ndërkaq, Ginovska thotë se studimet shkencore tregojnë qartë se kush ndot në Shkup.
“Por, ekziston një studim i bërë në pesë qytete, në gjithë territorin e shtetit, ku janë kryer matje gjatë gjithë vitit, i cili nuk është bërë as nga Inspektorati, as nga Drejtoria, Ministria, Qeveria, as nga kjo dhe as nga qeveria e mëparshme, por është bërë nga ekspertë, dhe që tregon se ndikimin më të madh në ajrin ambient në Shkup e kanë amvisëritë. Pastaj vijnë automjetet, në vendin e tretë është industria. Nuk po e amnistojmë industrinë se nuk ndot, por duam të themi se ajo nuk është udhëheqëse në këtë proces të ndotjes së ajrit, i cili është tashmë dekadash”, pohoi Ivana Ginovska, Inspektorati Shtetëror I Mjedisit.
Marrja e Lejes së Integruar A është një proces afatgjatë dhe zakonisht kompanive u kushton disa, madje edhe dhjetëra milionë euro.
