Pas përfundimit të vitit kalendarik, mbi 40 punonjës të angazhuar në Spitalin e Posaçëm për Gjinekologji dhe Obstetrikë “Nënë Tereza” në Çair kanë mbetur pa kontrata pune. Siç bëhet e ditur nga Ministria e Shëndetësisë për këta punonjës janë dërguar kërkesa zyrtare pranë institucioneve kompetente për vazhdimin e angazhimit të tyre.

“Sapo të arrijë pëlqimi nga Ministria e Financave, kontratat do të vazhdojnë, përfshirë edhe për 40 personat e angazhuar në Spitalin për Gjinekologji dhe Obstetrikë ‘Nënë Tereza’ – Çair. Njëkohësisht rikujtojmë se procedura është e kushtëzuar nga dinamika e miratimit të buxhetit për vitin 2026 dhe se Ministria e Shëndetësisë, në koordinim me Fondin e Sigurimit Shëndetësor dhe Ministrinë e Financave, po punon që ky proces të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë për Alsat.