Udhëheqësja e opozitës venezueliane, María Corina Machado, deklaroi se ia ka “dhuruar” Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, medaljen e Çmimit Nobel për Paqen gjatë takimit të tyre të zhvilluar sot.

Machado theksoi se bëhet fjalë për një gjest simbolik, të cilin e krahasoi me një episod historik, kur markezi Lafayette i dhuroi Simón Bolívarit një medalje me portretin e George Washingtonit.

Sipas saj, ky veprim përfaqëson një shenjë mirënjohjeje për atë që e quajti “angazhimi unik i Donald Trump për lirinë e Venezuelës”.

Presidenti Trump ka shprehur edhe më herët dëshirën për ta fituar Çmimin Nobel për Paqen. Machado kishte deklaruar se ia kishte dedikuar atij këtë çmim edhe në momentin kur e fitoi vitin e kaluar.

Megjithatë, Komiteti i Nobelit ka sqaruar se Çmimi Nobel për Paqen nuk mund të transferohet apo t’i kalojë një personi tjetër, pavarësisht gjestit simbolik të medaljes.