Gazetar: Bashkim Sulejmani

Me dy autobusë në orën tetë të mëngjesit për skiatorët dhe një në orën dhjetë për ata që duan të vizitojnë Kodrën e Diellit, komuna e Tetovës ka nisur nga sot transportin publik për në Kodër të Diellit. Rruga për në Kodër të Diellit është e pastruar thotë vozitësi i autobusit dhe nuk ka vështirësi kalimi.

“Rruga është mirë, lëvizet rehat lartë, e pastruar është”, tha një vozitës.

Qëllimi i lëshimit të autobusëve është zbutja e kaosit me numrin e lartë të makinave ndërkohë që numri i vend parkimeve është i vogël. Ndërmarrja për transport publik ka shprehur gatishmërinë e lëshimit të autobusëve për në Kodër të Diellit edhe brenda javës.

“Interesimi është i madh dhe ne jemi të gatshëm të shtojmë edhe kapacitetin e autobusëve nëse ditëve në vijim do ketë interesim nga qytetarët. Ne me këtë tentojmë ta ndihmojmë trafikun atje që të mos ketë tollovi në trafik. Mendojmë që edhe të hënën të lëshojmë autobus sepse janë festat pra ta shfrytëzojnë qytetarët”, u shpreh Arbër Ajdini, Drejtor operativ i ndërmarrjes për transport “Tetova Transport”.

Banorët kanë mirëpritur lëshimin e autobusëve për në Kodër të Diellit, ndërsa kërkojnë të ketë linjë të përditshme dhe jo vetëm për fundjavë.

“Për banorët këtu që jetojnë është shumë e nevojshme. Është mirë të ketë transport publik edhe ditëve të tjera”, tha një vizitor.

“E nevojshme është shumë dhe me këtë nuk do ketë problem me parkimin. Andaj mendoj se është e nevojshme të ketë transport publik”, shtoi një vizitor.

Transporti publik për në Kodër të diellit kushton 200 denarë një biletë kthyese, ndërsa qytetarët mund të ngjiten në autobus edhe me pajisjet për skijim. /Alsat.mk

The post Komuna e Tetovës ka vënë në funksion transportin publik drejt Kodrës së Diellit appeared first on Alsat.