Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe presidentin Donald Trump se janë përgjegjës për “viktimat, dëmet dhe shpifjet” gjatë protestave të fundit në vend.

Në një fjalim të mbajtur të shtunën, Khamenei pranoi se mijëra persona janë vrarë gjatë trazirave të fundit, “disa në mënyrë çnjerëzore dhe barbare”, por përgjegjësinë për vdekjet ia atribuoi asaj që ai i quajti “nxitës të trazirave”.

Presidenti amerikan Donald Trump u ka bërë thirrje protestuesve kundër qeverisë iraniane që të “vazhdojnë protestat” dhe ka kërcënuar me ndërhyrje ushtarake nëse forcat e sigurisë vazhdojnë vrasjet e protestuesve.

Sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve për të Drejtat e Njeriut në Iran (HRANA), me seli në SHBA, protestat në Iran kanë shkaktuar 3,090 viktima. Trazirat nisën më 28 dhjetor për shkak të situatës ekonomike, por më pas u shndërruan në thirrje për përfundimin e sundimit të udhëheqësit suprem.

Qeveria iraniane i ka cilësuar protestat si “trazira” të mbështetura nga armiqtë e Iranit. Protestuesit janë përballur me përdorim force vdekjeprurëse, ndërsa autoritetet kanë vendosur bllokim pothuajse të plotë të internetit dhe shërbimeve të komunikimit.

Ditët e fundit ka pasur më pak raportime për protesta, por për shkak të kufizimeve të vazhdueshme në internet, situata në terren mbetet e paqartë.

Gjatë fjalimit të tij, Khamenei e quajti presidentin Trump “kriminel” dhe ka thënë se SHBA-ja duhet të “mbajë përgjegjësi” për trazirat e fundit. Ai gjithashtu pretendoi në rrjetet sociale se “qëllimi i Amerikës është ta zhdukë Iranin”.