Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se është ftuar personalisht nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Rama e cilësoi këtë ftesë si një vlerësim të posaçëm për Shqipërinë dhe si një arritje ndërkombëtare të paimagjinueshme deri pak vite më parë.
Ai theksoi se ky zhvillim dëshmon transformimin e vendit dhe rritjen e respektit ndërkombëtar ndaj Shqipërisë.
Kryeministri nënvizoi gjithashtu forcimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar ftesën nga Presidenti Trump si një tregues të nivelit të lartë të marrëdhënieve mes dy vendeve.
POSTIMI I RAMËS:
Shumë i nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump, për ta përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar prej tij, ku Shqipëria ftohet si anëtar themelues, duke ngjitur kështu ndërkombëtarisht një tjetër majë krejt të paimagjinueshme vetëm deri pak vite më parë.
Nuk mund të jem dot më krenar për Shqipërinë, për gjithçka kemi bërë në këto vite duke e kthyer në një Shqipëri tjetër, të dinjitetshme e të respektuar botërisht si asnjëherë, e padiskutim edhe për nivelin ku e kemi ngritur marrëdhënien e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u ftuar me një respekt e vlerësim krejt të posaçëm nga Presidenti Donald J. Trump, për t’u bërë pjesë e një bordi ndërkombëtar të krijuar e kryesuar prej atij vetë dhe për të punuar së bashku me të.
Thank you, Mr. President.
God bless Albania and the United States.
