Pavarësisht nëse punoni në marrëdhënie me publikun, financë apo IT, është shumë e lehtë të përfshihesh nga trendet e reja të vendit të punës. Por sipas ekspertëve, disa prej tyre mund t’ju dëmtojnë seriozisht karrierën.

Një ekip nga platforma Kickresume ka përpiluar një listë të termave më të përdorur në vendin e punës, që pasqyrojnë trendet kryesore të vitit 2025. Analiza e tyre tregon se një nga fenomenet më të përhapura vitin e kaluar ishte dërgimi i të ashtuquajturave “spamplications” – aplikime masive për punë të krijuara dhe dërguara me inteligjencë artificiale (AI).

Ndërkohë, edhe “workslop” – përdorimi i AI për të prodhuar punë me cilësi të ulët – po shihet si një tjetër praktikë që mund t’ju vërë në rrezik profesional.

“Termat që kemi dëgjuar më shpesh gjatë vitit të kaluar tregojnë për prirje më të thella që kanë formësuar vitin 2025,” shprehet Peter Duris, bashkëthemelues dhe CEO i Kickresume. “Rritja e ‘workslop’ dhe e dërgimit masiv të CV-ve me AI tregon se përdorimi i kësaj teknologjie pa kujdes dhe strategji mund të dëmtojë më shumë sesa të ndihmojë.”

A jeni fajtor për ndonjërin nga këto trende?

Spamplications

I njohur edhe si “resume-spamming”, ky trend i referohet përdorimit të AI për të dërguar qindra CV njëherësh, me shpresën për të marrë më shumë ftesa për intervista.

Në pamje të parë duket si ide e mirë, por ekspertët paralajmërojnë se kjo mund të kthehet kundër jush: nëse CV-ja nuk është përshtatur për rolin specifik, rezultati më i mundshëm janë refuzime automatike.

Workslop

Ky term përshkruan punë me cilësi të dobët të gjeneruar nga AI, e cila në fund krijon më shumë punë për pjesën tjetër të ekipit. Sipas Kickresume, nëse përmbajtja e krijuar nga AI nuk redaktohet dhe verifikohet me kujdes, ajo rrallëherë përmbush standardet profesionale.

Coffee-badging

Një praktikë gjithnjë e më e përhapur që nënkupton paraqitjen në zyrë vetëm për pak kohë – një kafe, pak bisedë – dhe më pas largimin për të vazhduar punën nga shtëpia. Kjo shihet si një mënyrë për t’iu shmangur kthimit të plotë në zyrë, por mund të sjellë pasoja nëse zbulohet.

Office frogs

Ky term i referohet personave që “kërcenin” shpesh nga një punë në tjetrën. Ekspertët theksojnë se ndryshimi i shpeshtë i punës nuk është domosdoshmërisht negativ, veçanërisht për të rinjtë që janë në fillim të karrierës. Megjithatë, shumë lëvizje brenda një kohe të shkurtër mund të perceptohen nga rekrutuesit si mungesë përkushtimi.

Terma të tjerë që po dominojnë vitin 2025 dhe 2026

Mes fjalëve të tjera në modë janë:

Microshifting – punë në intervale të shkurtra gjatë ditës

Poly-employment – mbajtja e disa punëve njëkohësisht

Ghost vacationing – pushime të marra pa autorizim

Hush trips – punë gjatë pushimeve pa dijeninë e eprorit

Boreout – ndjesi lodhjeje dhe demotivimi për shkak të mërzisë në punë

Orari 9-9-6 – punë nga ora 9 e mëngjesit deri në 9 të mbrëmjes, gjashtë ditë në javë

Si ta përdorni AI-në pa dëmtuar karrierën

Kickresume këshillon që AI të përdoret me zgjuarsi, jo në mënyrë mekanike.

Për kërkimin e punës, sugjerohet:

të krijoni një listë kompanish dhe rolesh që përputhen me vlerat dhe aftësitë tuaja,

të personalizoni CV-në dhe letrën e motivimit për çdo aplikim

Për të shmangur workslop, ekspertët rekomandojnë:

formulimin e kërkesave (prompteve) sa më të detajuara,

rishikimin dhe verifikimin e kujdesshëm të çdo materiali të gjeneruar nga AI, pasi ajo mund të prodhojë edhe informacion të pasaktë.

Në fund, mesazhi është i qartë: inteligjenca artificiale mund të jetë një mjet i fuqishëm, por vetëm nëse përdoret me mend, strategji dhe përgjegjësi profesionale.

The post Trendet e reja në punë që po rrezikojnë karrierën tuaj appeared first on Alsat.