Zbulohen 9 emoji të reja që do të vijnë në telefonat tanë në vitin 2026

Nga fytyrat buzëqeshëse miqësore te simbolet më lozonjare, emoji-t janë bërë tashmë pjesë e pandashme e komunikimit të përditshëm. Edhe pse përdoruesit kanë në dispozicion mbi 3,900 emoji të ndryshme, një set i ri me nëntë emoji të reja pritet të shtohet në vitin 2026.

Emoji-t e reja u publikuan fillimisht në heshtje në arkivat publike të Unicode në fund të vitit të kaluar dhe së fundmi janë zbuluar nga faqja e specializuar Emojipedia.

Ndër risitë kryesore janë dy gjeste të reja të duarve – gisht i madh majtas dhe gisht i madh djathtas – si dhe një fytyrë buzëqeshëse me sy të ngushtuar, e cila ka ngjallur menjëherë entuziazëm në rrjetet sociale.

Emoji të tjera të reja përfshijnë:

një meteor

një far detar

një flutur monark

një gomë fshirëse

një rrjetë me dorezë

dhe emoji-n që ka tërhequr më shumë vëmendje: turshia (pickle).

Pikërisht emoji-ja e turshisë ka shkaktuar reagime të shumta online, me disa përdorues që sugjerojnë se ajo mund të “zëvendësojë” emoji-n e patëllxhanit, e cila shpesh përdoret me kuptime joformale. Në platformën X, një përdorues shkroi se “emoji-ja e turshisë do të jetë gjigante”, ndërsa të tjerë ironizuan se patëllxhani “po dridhet” nga konkurrenca e re.

Sipas parashikimeve, këto nëntë emoji të reja pritet të publikohen në shtator 2026, si pjesë e përditësimit Emoji 18.0. Megjithatë, Emojipedia thekson se si Unicode 18.0, ashtu edhe Emoji 18.0, janë ende në fazë drafti dhe mund të pësojnë ndryshime.

“Deri në shtator 2026, Unicode do të kryejë disa rishikime të tjera, çka do të thotë se disa prej propozimeve mund të mos miratohen përfundimisht,” sqaron Emojipedia.

Nga lista e re, e vetmja fytyrë është ajo me sy të ngushtuar, e cila është pritur me entuziazëm nga përdoruesit. Edhe dy gjestet e reja të duarve janë vlerësuar si shtesa të dobishme për komunikimin digjital. Në të kundërt, emoji-t si meteori, fari apo flutura monark kanë marrë reagime më të vakëta, me disa përdorues që vërejnë se ekzistojnë tashmë simbole të ngjashme.

Nëse Unicode i miraton përfundimisht këto emoji, hapi i radhës do t’u takojë kompanive si Apple, Google dhe Samsung, të cilat duhet të krijojnë versionet e tyre grafike dhe t’i integrojnë në sistemet përkatëse. Ky proces zakonisht kërkon kohë.

“Shpesh ka një vonesë të gjatë mes miratimit nga Unicode dhe shfaqjes reale të emoji-ve në tastierat e iPhone apo Android,” thekson Emojipedia, duke shtuar se ndonjëherë mund të duhen shumë muaj, madje edhe më shumë se një vit, derisa emoji-t e reja të bëhen të disponueshme për të gjithë përdoruesit.

The post Zbulohen 9 emoji të reja që do të vijnë në telefonat tanë në vitin 2026 appeared first on Alsat.