Pakistani ka bërë të ditur se prej muajsh po zhvillon bisedime me Turqinë dhe Arabinë Saudite për një kuadër bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, ndonëse ende nuk është arritur asnjë marrëveshje zyrtare.

Ministri pakistanez për Prodhimin e Mbrojtjes, Raza Hayat Harraj, tha se një marrëveshje e propozuar trepalëshe është duke u shqyrtuar prej rreth 10 muajsh dhe se një draft i dokumentit u është shpërndarë të tre vendeve, por vazhdon të jetë në proces rishikimi, raporton Reuters.

Sipas Harraj, ky kuadër i mundshëm është i ndarë nga marrëveshja dypalëshe e mbrojtjes mes Pakistanit dhe Arabisë Saudite, e shpallur vitin e kaluar, dhe do të kërkojë konsensus të plotë përpara se të finalizohet.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, konfirmoi se janë zhvilluar diskutime, por theksoi se nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje formale. Në një konferencë për shtyp në Stamboll, ai vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit rajonal të bazuar në besim për përballimin e sfidave të sigurisë dhe paqëndrueshmërisë.

“Vendet e rajonit duhet të bashkohen për të ndërtuar një platformë bashkëpunimi në fushën e sigurisë,” tha Fidan, duke shtuar se çështjet rajonale mund të zgjidhen vetëm përmes besimit të ndërsjellë.

Ai sqaroi se aktualisht po zhvillohen takime dhe bisedime, por pa një marrëveshje të nënshkruar, ndërsa presidenti Recep Tayyip Erdogan mbështet një kuadër më të gjerë bashkëpunimi për stabilitetin rajonal.