Forcat qeveritare kanë marrë nën kontroll një qytet strategjik në lindje të Sirisë të dielën, si pjesë e një ofensivë të vazhdueshme kundër forcave të udhëhequra nga kurdët në lindje të lumit Eufrat.

Kjo ndodhi pasi tensionet mes Damaskut dhe Forcave Demokratike Siriane (SDF), të udhëhequra nga kurdët dhe të mbështetura nga SHBA-ja, u përshkallëzuan më herët këtë muaj, duke çuar në përleshje vdekjeprurëse dhe në marrjen nga qeveria të kontrollit të tre lagjeve të Alepos nga luftëtarët kurdë.

Shtytja ushtarake e së dielës drejt Tabqas, në provincën Raka, shihet si vendimtare për shkak të një dige që kontrollon rrjedhën e ujit drejt jugut, më thellë në zonat nën kontrollin e SDF-së.

Qyteti është gjithashtu shtëpia e një baze ajrore ushtarake.

Dhjetëra banorë dolën në rrugë për të mirëpritur trupat siriane, duke valëvitur flamurin kombëtar.

Tabqa është zona më e fundit, kryesisht me shumicë arabe, që forcat qeveritare kanë marrë nën kontroll në provincën Raka.

Ende mbetet e paqartë se sa thellë në zemrën e territoreve kurde do të avancojë ushtria siriane.

Që nga udhëheqja e kryengritjes për rrëzimin e Bashar Asadit në dhjetor 2024, presidenti Ahmad al-Sharaa ka pasur vështirësi të vendosë kontroll të plotë në mbarë vendin e shkatërruar nga lufta dhe të fitojë besimin e pakicave skeptike ndaj sundimit islamist në Siri.

Qeveria dhe SDF-ja kanë shkëmbyer akuza për shkeljen e një marrëveshjeje të arritur në mars, e cila parashikonte riintegrimin e Sirisë verilindore dhe forcave të udhëhequra nga kurdët me qeverinë qendrore.

SDF-ja kontrollon zona të gjera të Sirisë verilindore dhe prej vitesh ka qenë aleati kryesor i Uashingtonit në luftën kundër grupit ekstremist Shteti Islamik.

Që nga rrëzimi i Asadit, SHBA-ja ka zhvilluar marrëdhënie të forta me Damaskun dhe është përpjekur të ulë tensionet mes dy palëve.

SHBA-ja ka bërë thirrje për qetësi pas përleshjeve të këtij muaji në Alepo, të cilat lanë 23 të vrarë dhe dhjetëra mijëra të zhvendosur.