Tetë vendet anëtare të NATO-s të cilat Trumpi i ka kërcënuar me tarifa duke filluar nga 1 shkurti, kanë lëshuar të dielën një deklaratë të përbashkët si reagim ndaj vendimit. 

Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Holanda, Norvegjia, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar do të përballen me tarifa 10% për eksportet drejt SHBA-së nga muaji shkurt, të cilat do të rriten në 25% në qershor.

Por në letër, vendet theksojnë se ato “qëndrojnë në solidaritet të plotë me Mbretërinë e Danimarkës dhe popullin e Grenlandës”.

“Jemi të gatshëm të angazhohemi në një dialog të bazuar në parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial, të cilave u qëndrojmë fort,” thuhet në letër.

Të gjitha tetë vendet janë anëtare të NATO-s dhe nënvizojnë se janë “të përkushtuara për të forcuar sigurinë në Arktik si një interes i përbashkët transatlantik”.

Për këtë qëllim, ato thonë se ushtrimi i fundit danez në Grenlandë, i quajtur “Arctic Endurance” – ishte një reflektim i kësaj dhe “nuk përbën kërcënim për askënd”.

Synimi i presidentit amerikan për të marrë kontrollin e Grenlandës ka shkaktuar tensione mes anëtarëve të aleancës më të madhe ushtarake në botë – NATO. Ato, shumica e të cilave janë shtete evropiane, e po ashtu Kanadaja, kanë dalë në mbrojtje të sovranitetin të Danimarkës, të cilës i përket Grenlanda.