Rinumërimi i votave deri më tani ka sjellë ndryshime të konsiderueshme në numrin e votave të kandidatëve individualë, ku disa kanë përfituar e disa kanë humbur vota, megjithëse balanca mes partive politike ka mbetur pothuajse e pandryshuar.
Mospërputhjet më të theksuara janë evidentuar në komunën e Prizrenit, duke ngritur shqetësime serioze për keqnumërim gjatë procesit fillestar.
Pas rinumërimit në disa komuna, ndryshimet më të mëdha janë vërejtur te kandidatët e tri partive kryesore politike, veçanërisht në rajonin e Prizrenit, ku dallimet kanë qenë më të theksuara krahasuar me komunat e tjera.
A do të ketë rinumërim në të gjithë vendin?
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka deklaruar për KosovaPress se KQZ nuk e përjashton mundësinë e një vendimi të ri për rinumërim të vendvotimeve të tjera, në varësi të gjetjeve që dalin nga procesi aktual.
“Aktualisht, KQZ nuk ka marrë ndonjë vendim tjetër”, ka thënë Elezi, duke shtuar se çdo hap i radhës do të varet nga rezultatet dhe evidencat që dalin nga rinumërimi në komunat e përfshira.
Sipas vendimit të KQZ-së të datës 13 janar 2026, rinumërimi i plotë i votave është paraparë të zhvillohet në 10 komuna, ndërsa në 28 komuna të tjera do të rinumërohen vetëm 10 për qind e vendvotimeve të tyre.
Prokuroria: Janë evidentuar keqpërdorime të votave
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se, si institucion i Prokurorit të Shtetit, ka monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, tani që procesi i rinumërimit po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike, veçanërisht në rajonin e Prizrenit.
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon rinumërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të përfshihen në këtë proces.
Mbi gjysma e vendvotimeve tashmë janë rinumëruar
Sipas të dhënave zyrtare, nga fillimi i këtij procesi e deri më tani janë rinumëruar rreth 56 për qind e vendvotimeve, apo 509 nga gjithsej 914 vendvotime të parashikuara për rinumërim.
Rinumërimi ka përfshirë komunat: Deçan (5/5), Gjakovë (15/15), Gllogoc (7/7), Gjilan (13/13), Dragash (57/57), Istog (6/6), Kaçanik (45/45), Klinë (6/6), Fushë Kosovë (6/6), Kamenicë (5/5), Mitrovicë e Jugut (10/10), Leposaviq (25/25), Lipjan (9/9), Novobërdë (2/2), Obiliq (3/3), Rahovec (8/8), Pejë (14/14), Podujevë (11/11), Prishtinë (26/26), Prizren (232/235) dhe Skënderaj (4/72).
The post Zëdhënësi i KQZ-së: Mund të ketë rinumërim të votave në gjithë Kosovën appeared first on Alsat.
