Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shprehur kritika të forta ndaj Evropës gjatë fjalës së tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke deklaruar se kontinenti “nuk po shkon në drejtimin e duhur”.
“E dua Evropën, dua ta shoh të bëjë mirë, por nuk po shkon në drejtimin e duhur,” tha ai.
Duke folur për çështjen e Groenlandës, Trump kërkroi “negociata të menjëhershme” për blerjen e Groenlandës.
Presidenti Trump theksoi se Groenlanda ka një rëndësi të veçantë për sigurinë strategjike kombëtare të SHBA-së dhe për sigurinë globale.
Trump, ka deklaruar se SHBA-të nuk do të përdorin forcë të tepruar, duke iu referuar diskutimeve mbi Groenlandën, ndërsa theksoi se Uashingtoni po kërkon vetëm negociata për blerjen e territorit.
“Nuk do të arrijmë asgjë nëse nuk vendos të përdor forcë të tepërt, do të ishim të pandalshëm, por nuk do ta bëjmë këtë,” u shpreh Trump.
Ai kritikoi Danimarkën, duke deklaruar se “nuk ka asnjë shenjë të saj në ishull” dhe se Kopenhagen po shpenzon më pak fonde sesa kishte premtuar për Groenlandën. Sipas Trump, vetëm SHBA-të janë në gjendje të garantojnë mbrojtjen, zhvillimin dhe përmirësimin e këtij territori strategjik.
“Janë vetëm SHBA-të që mund ta mbrojnë këtë masë gjigante toke, këtë copë gjigante akulli,” tha Trump, duke nënvizuar se kjo është arsyeja pse ai po kërkon “negociata të menjëhershme” për blerjen e Groenlandës.
Presidenti amerikan minimizoi rëndësinë e burimeve natyrore, duke deklaruar se “nuk ka diçka të tillë si materiale të rralla tokësore në Groenlandë”, ndërsa theksoi se ajo që ka vërtet rëndësi është pozicioni strategjik i saj.
Forumi në Davos, Trump: Evropa s’po shkon në drejtimin e duhur
Trump u shpreh se “nuk e njeh më Evropën”, duke theksuar se, ndonëse dëshiron ta shohë të ecë përpara, politikat aktuale po e çojnë atë në një rrugë të gabuar.
Ai theksoi se politikat e imigracionit dhe ato ekonomike kanë sjellë, sipas tij, pasoja negative për vendet evropiane.
“Miq që kthehen nga vende të ndryshme më thonë: ‘Nuk e njoh më atë vend’. Dhe kjo nuk është në një mënyrë pozitive, por shumë negative,” u shpreh Trump.
Ai krahasoi situatën në Evropë me atë që e cilësoi si një “mrekulli ekonomike” në Shtetet e Bashkuara, duke kritikuar shpenzimet qeveritare në rritje, migrimin masiv të pakontrolluar dhe importet e shumta të huaja në vendet evropiane.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment tensionesh në marrëdhëniet SHBA–Evropë, të cilat janë vënë në provë edhe nga qëndrimet e tij të fundit mbi aneksimin e Groenlandës.
