BE-ja ka shtuar 15 zyrtarë të qeverisë iraniane dhe gjashtë organizata në listën e saj të sanksioneve për rolin e tyre në “shkelje serioze të të drejtave të njeriut” gjatë shtypjes së protestave. Ndër personat e sanksionuar përfshihen Ministri i Brendshëm i Iranit, Eskandar Momeni, si dhe disa komandantë të Gardës Revolucionare, zyrtarë të lartë të policisë dhe sigurisë.

Bashkimi Evropian e ka vendosur Trupën e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit në listën e organizatave terroriste, duke i dhënë fund viteve të përçarjes për këtë çështje, në përgjigje të shtypjes brutale të protestuesve nga regjimi, raportoi The Guardian .

“Represioni nuk mund të mbetet pa përgjigje. Çdo regjim që vret mijëra qytetarë të vet po punon drejt rënies së vet”, tha të enjten shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaia Kallas.

Kryetarja e delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Iranin, Hanna Neumann, tha se listimi i Trupave të Gardës Revolucionare Islamike është “një sinjal politik i shumëpritur se dhuna masive dhe represioni transnacional nuk do të mbeten më pa përgjigje”.

Në një deklaratë, ajo theksoi: “Ky vendim nuk është vetëm simbolik. Ai mbart pasoja shumë konkrete ligjore: ngrirjen e aseteve dhe çdo mbështetje financiare ose materiale bëhet vepër penale.”

The post BE-ja ka shtuar 15 zyrtarë të qeverisë iraniane dhe gjashtë organizata në listën e saj të sanksioneve appeared first on Alsat.