Deputetja e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, i ka bërë thirrje autoriteteve të shtetit të saj që të mos e largojnë vëmendjen nga Ballkani. Ajo ka thënë se kërcënimi i konfliktit në Ballkan mbetet gjithmonë i pranishëm.
Në një shkrim në “X” ajo ka ndarë një pjesë nga fjalimi i saj në Këshillin e Evropës. Aty ka bërë thirrje që bashkësia ndërkombëtare të angazhohet për Bosnjë të sigurt dhe të qëndrueshme.
“Kërcënimi i konfliktit në Ballkan mbetet gjithmonë i pranishëm. Javën e kaluar në Këshillin e Evropës i bëra thirrje bashkësisë ndërkombëtare të bashkohet dhe të angazhohet për një Bosnjë të sigurt dhe të qëndrueshme, të rrënjosur fort në bashkësinë e Evropës, aty ku meriton të jetë”, ka shkruar ajo në “X”.
Kearns duke folur për situatën në Bosnjë e Herecegovinë, përkujtoi viktimat e gjenocidit në Srebrenicë dhe vlerësoi se paqja asnjëherë nuk duhet të merret si e mirëqenë.
Kearns ishte deputetja britanike që pati alarmuar se si në Kosovë po kontrabandoheshin armë nga Serbia dhe se ato po ruheshin në kishat ortodokse serbe. në korrik të 2023-s ajo pati thënë se transporti i këtyre armëve bëhet nëpërmjet autoambulancave.
E në shtator të po atij viti, si pasojë e një sulmi terrorist ishte vrarë në Banjskë të Zveçanit rreshteri Afrim Bunjaku. Nga këmbimi i zjarreve mes Policisë së Kosovës dhe grupit të armatosur ishin vrarë tre sulmues serbë.
Prokuroria Speciale tashmë ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për këtë rast terrorist.
The post Deputetja britanike që alarmoi para Banjskës: Kërcënimi në Ballkan, gjithmonë i pranishëm appeared first on Alsat.
