BDI akuzon ministrinë e Drejtësisë: “Pengimi i shqipes në provimin e jurisprudencës do ketë pasoja juridike”

BDI akuzon ministrinë e Drejtësisë për shkelje penale për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar, në lidhje refuzimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Kanita Ramadani nga kjo parti tha se ligji është i qartë dhe pengimi i tij ka pasoja juridike. Sipas saj, pengimi i zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe personave përgjegjës përbën bazë për përgjegjësi penale për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar.

“Kërkojmë nga Inspektorati për përdorimin e gjuhëve që menjëherë të konstatojë shkelje dhe të iniciojë procedura për kundërvajtje ndaj ministrisë së drejtësisë dhe personave përgjegjës. Kërkojmë nga Prokuroria Publike që të vlerësojë ekzistencën e elementeve për ndjekje penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare, moskryerje të detyrës zyrtare dhe nxitje të mosdurimit ndëretnik. Kërkojmë përgjegjësi personale nga Ministri i Drejtësisë për çdo vendim ose mosveprim që pengon zbatimin e ligjit”, tha Kanita Ramadani.