Gazetare: Melihate Rustemi
Transporti publik falas për studentët e universiteteve publike do të vazhdoj të zbatohet edhe më tej pavarësisht zërave se kjo e drejtë mund të shfuqizohet. Studentët vlerësojnë se kjo e drejtë po ua lehtëson realizimin e shumë aktiviteteve studentore që organizohen në pjesë të ndryshme të Shkupit.
“Posaçërisht për studentët vlerësoj se është shumë e rëndësishme. Unë sapo e humba të drejtën për biletë falas dhe tashmë po e vërej dallimin. Sapo përfundova studimet”, tha një studente.
“Mua më ndihmon shumë sepse nuk e kam patentë shoferin. E kam vazhduar biletën mujore dhe nuk kisha asnjë problem. Më kërkuan pagesë prej 100 denarësh që të mund të marrë vërtetim se jam studente e rregullt, kjo ishte”, u shpreh një studente.
Një pjesë e studentëve ankohen për mungesë higjiene dhe kushte në transportin publik.
“Jashtëzakonisht shumë është e rëndësishme. Pavarësisht që është falas, kushtet në transportin publik janë sikur për kafshët dhe jo njerëzit, ky është vlerësimi im”, theksoi një studente.
Nga Ndërmarrja Qarkulluese Publike sqarojnë se në përputhje me Rregulloren e këtij Institucioni të drejtën për të përdorur transport falas për studentët e kanë të gjithë studentët e rregullt të regjistruar në semestrin përkatës veror/dimëror.
E drejta për të përdorur transport falas ushtrohet me një certifikatë për student të rregullt të lëshuar nga fakulteti përkatës, një indeks dhe një dokument identifikimi. Kjo masë vlen për studimet e ciklit të parë, studimet universitare dhe të integruara./ Alsat.mk
The post Transporti falas për studentët është ende në fuqi appeared first on Alsat.
