U mbush java e katërt e bojkotit të mësimit të njëqind nxënësve të Vaksincës, nga paaftësia e institucioneve kompetente për të gjetur zgjidhje për arsimtaren me probleme shëndetësore, ndaj të cilës reagojnë nxënësit dhe prindërit e tyre.
“Kam qenë duke lexuar siç më ka thënë mësuesja edhe ka ardhë më ka bërtitur në vesh”, tha një nxënëse.
“Na shtyn të vizatojmë dhe nuk na mëson asgjë, veç një fjalë të njëjtë e thotë çdo ditë”, u shpreh një tjetër nxënës.
Me këto shqetësime të nxënësve nisi takimi i së premtes ndërmjet prindërve të fshatit Vaksincë dhe përfaqësuesve të Qendrës për kujdes social të Kumanovës.
Një muaj pas fillimit të bojkotit, prindërit thonë se fëmijët kanë përjetuar trauma nga arsimtarja e anglishtes S.S. e cila, në vjeshtë ka pasur edhe pushim mjekësor për trajtime psikiatrike dhe e njëjta nuk tërhiqet nga mësimi.
“Ata veç se ishin të frikësuar e qanin! Atëherë unë e kuptova me të vërtetë se çfarë pasoja traumatike kanë sepse fëmiu im dridhej. Unë atë ditë kur shkova ta marr, u shokova nga reagimet sepse kurrë nuk e kam menduar se fëmiu im do të frikësohej deri në atë shkallë”, tha një prind.
“Unë kam hyrë në klasë dhe e kam parë sesi sillet ajo nëpër klasë, nuk kujdeset për fëmijët që është si arsimtare aty. Ajo vazhdon fol me vetveten, bën gjeste me duar sikur është duke folur me dikë imagjinare, kjo nuk është normale! Përderisa ajo është në atë gjendje, ne nuk mund t’i sjellim fëmijët! Nëse do drejtori që fëmiu im të vij në shkollë, atëherë ai duhet të merr përgjegjësi nëse i ndodh diçka fëmijëve, përndryshe ne nuk i lejojmë të vijnë”, theksoi prindi tjetër.
“Djali im është në klasë të dytë, djali im nuk e di as një shkronjë në gjuhën angleze, nuk di as të lexojë e as të shkruajë, asgjë! T’ja shohësh librin fëmisë tim janë të vizatuara disa figura që as unë nuk mund ti kuptoj se çfarë janë, kurse në fund i vendos notën 5. Çfarë është kjo? Çfarë i ka mësuar fëmijët tanë, unë dua ta di çfarë kanë mësuar fëmijët tanë në gjuhën angleze?!”, tha prindi.
Sikurse prindërit, ashtu edhe arsimtarët para përfaqësuesve të Qendrës së kujdesit social treguan që nxënësit kanë mbetur me vite pa mësuar asgjë në anglisht, por edhe me trauma.
“Ngjarja prej fillimit të vitit shkollor thuajse gjithherë janë frikësuar nxënësit. Ka ndodh 1-2 nxënës por kohë pas kohe janë përshtatur, por kësaj here nxënësit nuk janë adaptuar në orën e anglishtes asnjë ditë. Kur ka ardhë ajo gjatë asaj dite në klasë të gjithë ja kanë filluar të qajnë. Nxënësit nuk e donin dhe e refuzonin, nuk kisha cilin nxënës ta pajtoja më përpara”, deklaroi mësuesja.
Në ditën e fundit të skadimit ligjor për dorëzimin e dosjes mjekësore të S.S. në Inspektoratin shtetëror të arsimit, drejtori i shkollës Idriz Sulejmani e pati më të rëndësishme të shkojë në ekskursion me nxënësit e tjerë të fshatit Llojan. Në këtë takim drejtoria u përfaqësua nga psikologia e shkollës.
-Më parë unë kam qenë në vizitë të orës tek arsimtarja dhe e kam parë atë situatë që e thonë prindërit, vërtetë ato sjellje i kishte! Po me fëmijët ku isha në ato klasa kam biseduar, por me kolegen nuk ka ndryshime, kur të shkosh në orën tjetër sërish njëjtë!
-Tani kur vjen kolegia në mësim me kënd mban mësim?
-Me vetëm 5-6 nxënës!
-A nuk vjen tek shërbimet tu thotë ku janë, përse nuk vijnë?
-Jo, Jo”, u shpreh Nerxhivane Shabani – psikologe e SH.F “Rilindja” Vaksincë.
Nga Komuna e Likovës thonë se të gjitha kompetencat janë në kuadër të Inspektoratit të arsimit fillor dhe të mesëm. Kreu i kësaj komune Erkan Arifi thotë se Instituti i mjekësisë së punës duhet sa më shpejtë të kryej ekzaminimin shëndetësor të mësueses dhe t’i japë zgjidhje rrugë ngërçit të krijuar.
“Unë ditën e nesërme kam një takim me drejtorin e shkollës, me kryetarin e këshillit të prindërve ku kam kërkuar që të kemi një takim të përbashkët dhe gjithqysh duhet të gjendet një zgjidhje e përhershme se ky shqetësim është i prindërve, nxënësve, menaxherit të shkollës si dhe komunës”, potencoi Erkan Arifi – kryetar i Komunës së Likovës.
13 shkurti ka qenë afati i fundit për të kompletuar dokumentet nga drejtoria e shkollës, të cilët arsyetohen se Instituti i mjekësisë së punës në Shkup ka refuzuar ekzaminimin psikiatrik të S.S. pa lidhur kontratë pagese me shkollën “Rilindja”. Nga Inspektorati shtetëror i arsimit thonë se pas këtyre shkeljeve, përgjegjësi do të ketë drejtori Idriz Sulejmani, duke mos e përjashtuar marrjen e kompetencave të shkollës fillore komunale nga vet Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
