Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, vazhdon të shfaqë interes për blerjen e Groenlandës, rajon autonom i Danimarkës. Kështu deklaroi kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, gjatë një debati publik në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih.
“Fatkeqësisht, mendoj se dëshira e tij mbetet e njëjtë”, tha Frederiksen, kur u pyet nëse Trump ende synon që Groenlanda të bëhet pjesë e territorit amerikan.
Ajo theksoi se çështja nuk konsiderohet e mbyllur nga Kopenhaga zyrtare.
“Të gjithë na pyesin nëse mendojmë se ka mbaruar. Jo, nuk mendojmë se ka mbaruar kjo krizë”, deklaroi kryeministrja, duke folur për tensionet që lidhen me sigurinë në Arktik.
Edhe homologu i saj nga Groenlanda, Jens Frederik Nielsen, reagoi ndaj zhvillimeve, duke theksuar se çdo formë presioni amerikan ndaj popullsisë së ishullit është “e papranueshme”. Megjithatë, ai shtoi se janë ndërmarrë “disa hapa” që, sipas tij, shkojnë “në drejtimin e duhur”.
Groenlanda, territori më i madh ishullor në botë, ka rëndësi të veçantë strategjike për shkak të pozicionit gjeografik dhe burimeve natyrore, duke e bërë atë një pikë kyçe në dinamikat globale të sigurisë.
