Banorët e disa fshatrave të Komunës së Kërçovës edhe sot protestuan kundër ndërtimit të një deponie të përkohshme ndërmjet fshatrave Reshtan dhe Trapçindoll.
Nën parullën “Nuk jemi deponia juaj” dhe “STOP helmimit masiv” ata kërkojnë nga autoritetet komunale të tregojnë çfarë po ndodh dhe çfarë po punohet atje.
Ditë më parë nga Komuna e Kërçovës dolën me një qëndrim në Facebook ku thuhej: Thashethemet që po përhapen në publik për “krijimin e një deponie të egër” në Kërçovë dhe rrethinën e Kërçovës janë të pavërteta. Komuna e Kërçovës, as edhe NP “Komunalec” – Kërçovë, nuk organizojnë dhe nuk lejojnë krijimin e deponive të egra. Shërbimet kompetente veprojnë në përputhje me dispozitat ligjore dhe procedurat e përcaktuara për menaxhimin e mbeturinave”.
Nga Komuna thonë se Qytetarët mund të jenë të qetë se aktualisht mbeturinat po deponohen përkohësisht në deponinë Rusino, ndërsa në periudhën në vijim deponimi do të realizohet në Deponinë Rajonale Novac, në përputhje me organizimin e planifikuar dhe zgjidhjet e dakorduara për menaxhimin rajonal të mbeturinave. Megjithatë banorët kërkuan takim me kryetarin për ta sqaruar situatën.
