Arnaqi.
Bukoviq.
Semenishtë.
Disa pjesë të këtyre fshatrave të komunës së Sarajit u përmbytën pas shirave të dendur.
Shumë shtëpi e pësuan edhe me dëme materiale.
Uji në disa vende arrinte edhe deri në një metër.
Pas raportimeve për shtëpi të përmbytura, Qendra për Menaxhim me Kriza aktivizoi shërbimet kompetente dhe koordinimin në terren.
Ekipet e Brigadës zjarrfikëse të Qytetit të Shkupit, së bashku me ato të Tetovës, u erdhën në ndihmë banorëve për të tërhequr ujin nga oborret.
NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” bëri pastrimin e rrjetit të kanalizimeve për të parandaluar përmbytje të mëtejshme.
Në terren bashkë me ekipet e ndërmarrjeve ishin edhe kreu i Sarajit Muamet Elmazi, drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza Muhamed Ali, zëvendëskryeministri Bekim Sali dhe ministri i mjedisit Muamet Hoxha.
Rrugë të vërshuar nga ujërat kishin edhe disa fshatra të tjerë, si Llaskarca dhe Nigishtani.
Nga QMK kumtuan se shërbimet kompetente mbeten në terren deri sa situata të stabilizohet plotësisht.
