Lëvizja BESA është përfshirë nga zhvillime të forta të brendshme, pasi strukturat e Zonës 5 – që përfshin Strugën, Dibrën, Ohrin dhe Prespën – kanë dalë me reagime publike kundër ndërhyrjeve që, sipas tyre, po dëmtojnë unitetin dhe funksionimin normal të partisë.

Në një reagim të Forumit të Gruas të Zonës 5, në emër të Kryetares rajonale dhe Anëtares së Kuvendit Qendror, Biontina Pollozhani, është kërkuar distancim i menjëhershëm i çdo individi që ka tentuar të dobësojë strukturat për interesa personale. Sipas qëndrimit të publikuar, përçarjet e krijuara në Strugë kanë prodhuar pasoja konkrete në organizim dhe në unitetin e degës.

Në deklaratë përmendet drejtpërdrejt emri i Adnan Azizit, i cili akuzohet si orkestrues i përçarjeve të fundit. Sipas Forumit të Gruas, veprimet e tij kanë dëmtuar strukturat dhe kanë krijuar tensione të panevojshme në terren.

Njëkohësisht, reagim i fortë ka ardhur edhe nga Forumi Rinor në nivel rajonal, që përfshin Kërçovën, Dollnenin dhe Manastirin. Kryetari i Forumit Rinor, Ramazan Dini, ka përcjellë një mesazh të prerë politik dhe organizativ, duke theksuar se “vullneti i bazës nuk negociohet dhe uniteti nuk imponohet me kushte”.

“S’na ndaluan dje dhe s’do të na ndalojnë as sot”, thuhet në qëndrimin e rinisë, duke nënvizuar vendosmërinë për të mos lejuar, siç shprehen ata, ndërhyrje që bien ndesh me vullnetin e anëtarësisë. Sipas tyre, forca e organizimit buron nga uniteti, ndërsa vendimet e gabuara – sado të përkohshme – lënë pasoja afatgjata.

Reagim i veçantë ka ardhur edhe nga Forumi Rinor i degës së Strugës, ku kërkohet hapur distancimi i menjëhershëm i Adnan Azizit nga veprimet që, sipas tyre, po dëmtojnë zhvillimin e përgjithshëm të partisë. Ata theksojnë se rinia nuk do të pranojë manipulime, imponime apo skenarë të diktuar për interesa personale dhe paralajmërojnë reagim të fuqishëm dhe të organizuar ndaj çdo tentative për përçarje.

Në deklaratën e tyre, përmendet edhe situata në Tetovë, duke u kërkuar përgjegjësi për, siç thuhet, bllokimin dhe ngulfatjen e një prej strukturave dikur më të organizuara të subjektit politik.

Strukturat e Lëvizjes BESA në Zonën 5, sipas përfaqësuesve të saj, ndodhet në pritje të vendimeve përfundimtare për të përcaktuar hapat e mëtejshëm, me qëllim ndalimin e planeve që konsiderohen si të dëmshme për të ardhmen e partisë.