Mbi 80 aktorë, regjisorë dhe artistë, që kanë marrë pjesë në Festivalin e Filmit në Berlin, i kanë dërguar një letër të hapur organizatorëve, duke u kërkuar të mbajnë qëndrim të qartë për luftën në Gaza, ka raportuar agjencia Reuters.
Letra, e publikuar në revistën Variety, është nënshkruar nga emra si Tilda Swinton, Javier Bardem, Adam McKay, Alia Shawkat, Brian Cox dhe regjisori Mike Leigh.
“I bëjmë thirrje Berlinales ta përmbushë detyrën e saj morale dhe ta shprehë qartë kundërshtimin ndaj gjenocidit të Izraelit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës ndaj palestinezëve. Jemi të tronditur nga heshtja institucionale e Berlinales”, thuhet në letër.
Sipas tyre, organizatorët nuk kanë pranuar kërkesat për të nxjerrë një deklaratë që afirmon të drejtën e palestinezëve për jetën dhe që mbron të drejtën e artistëve për të folur lirshëm për këtë çështje.
“Kjo është minimumi që mund dhe duhet të bëhet”, thuhet tutje në letër.
Ekspertë të të drejtave të njeriut, studiues dhe një hetim i Kombeve të Bashkuara kanë thënë se ofensiva e Izraelit në Gaza përbën gjenocid, ndërsa Izraeli i cilëson veprimet e tij si vetëmbrojtje pas sulmit të Hamasit në territorin izraelit në tetor të vitit 2023.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Berlin, i njohur si Berlinale, konsiderohet më politik se festivalet e tjerë të mëdhenj si ai i Venecias dhe Kanës, dhe krenohet me përfaqësimin e komuniteteve të nënpërfaqësuara.
Megjithatë, ai është kritikuar nga aktivistë propalestinezë për mungesë qëndrimi të qartë për Gazën, ndryshe nga pozicionimet e tij për luftën në Ukrainë apo situatën në Iran.
Letra e së martës ka kritikuar edhe deklaratat e presidentit të jurisë së këtij viti, regjisorit gjerman Wim Wenders, i cili kishte thënë se kineastët duhet të qëndrojnë jashtë politikës.
Pas këtyre komenteve, shkrimtarja indiane Arundhati Roy, fituese e “Booker Prize” në vitin 1997 për romanin “The God of Small Things”, u tërhoq nga festivali. Ajo e cilësoi deklaratën e Wenders si “të papranueshme”.
Drejtoresha e festivalit, Tricia Tuttle, ka reaguar duke mbrojtur të drejtën e artistëve për të zgjedhur nëse duan apo jo të komentojnë çështje politike.
“Janë bërë thirrje për liri të shprehjes në Berlinale. Liria e shprehjes po ndodh në Berlinale. Por, gjithnjë e më shumë, kineastët pritet t’u përgjigjen çdo pyetjeje që u bëhet, dhe kritikohen nëse nuk përgjigjen, ose nëse përgjigjen dhe nuk na pëlqen ajo që thonë”, ka thënë ajo.
Organizatorët e festivalit nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar për letrën e hapur.
The post Artistët kërkojnë nga organizatorët e Berlinales qëndrim të qartë për Gazën appeared first on Alsat.
