“Krimi nuk shpërblehet, ju lutem formalizoni biznesin tuaj.” Këtë mesazh e dërgoi kryeministri Mickoski në konferencën vjetore “Formalizimi i ekonomisë joformale: Përmes bashkëpunimit drejt suksesit”. Ai njëkohësisht paralajmëroi një luftë sistematike kundër ekonomisë gri, e cila po e dëmton buxhetin e shtetit. Vendi nuk ka matje të sakta, por sipas të dhënave të Banka Botërore, ekonomia gri përfshin rreth 30 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Më së shumti është e pranishme në sektorin e ndërtimtarisë.
“Krimi nuk ka leverdi dhe ky është mesazh për të gjithë ata që mendojnë se do të funksionojnë si deri më tani, me krim, me ekonomi gri, me fshehje të taksave e kështu me radhë, duke menduar se kjo shpërblehet. Herët a vonë do të zbulohen dhe do të dalin para drejtësisë. Prandaj mesazhi im është – krimi nuk shpërblehet. Ju lutem formalizoni biznesin tuaj dhe mos mendoni se në këtë mënyrë do ta mashtroni shtetin”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
“Është shumë e vështirë të flitet për përqindjen, sepse kjo është një nga gjërat më të vështira për t’u matur. Disa vlerësime të Bankës Botërore thonë se është rreth 29 për qind. Por nuk mund të thuhet se të gjitha kompanitë janë në ekonomi joformale sepse ashtu kanë vendosur. Ka, siç thashë, shumë paqartësi në ligje”, pohoi Gordana Dimitrieska-Koçoska, Ministre e Financave.
Kryeministri pret gjithashtu stabilizim të çmimeve të ushqimeve gjatë këtij viti.
“Sa i përket ushqimit, vitin e kaluar pati shportë të Krishtlindjeve, të janarit dhe kështu do të jetë edhe në prill. Vlerësoj se do të lëvizim brenda projeksionit nën 3 për qind për inflacionin vjetor këtë vit. Kur e krahasojmë normën, është pothuajse e njëjtë si në rajon”, shtoi Mickoski.
Ai u bëri thirrje tregtarëve që goditjet globale të mos shërbejnë si justifikim për marzhe të pajustifikuara dhe fitime të tepruara në kurriz të qytetarëve, duke paralajmëruar monitorim të shtuar për të parandaluar abuzimet e mundshme.
