Ministria e Drejtësisë: Provimi i jurisprudencën vetëm maqedonisht

Ministria e Drejtësisë me në krye Igor Fillov vazhdon të insistojë se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në gjuhën shqipe pavarësisht Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Mbikëqyrjen inspektuese nga Inspektorati për përdorimin e gjuhëve e konsiderojnë të jashtëligjshme.

Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ende nuk ka epilog. Deri tani as Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve dhe as Avokati i Popullit nuk kanë dalë me përfundime nga lëndët të cilat po i zhvillojnë për këtë rast.

Megjithatë, Ministria e Drejtësisë insiston se provimi i jurisprudencës është provim profesional, jo procedurë administrative dhe mbahet vetëm në maqedonisht.

“Ai nuk është pjesë e procesit arsimor dhe as procedurë administrative me kërkesë të palës, por verifikim profesional i njohurive, i rregulluar me ligj të veçantë. Ligji për përdorimin e gjuhëve zbatohet në procedura ku qytetarët realizojnë të drejta, e jo në provime profesionale (lex specialis), ku nuk është paraparë detyrim për version dygjuhësh. Provimi i jurisprudencës është bazë për hyrje në profesionet në sistemin gjyqësor, të cilat kërkojnë zotërim aktiv të gjuhës maqedonase si gjuhë zyrtare”, thanë nga Ministria e Drejtësisë për Portalb.

Së fundmi, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve kreu inspektim të jashtëzakonshëm, ku pritet të dalin me gjetjet, por nga Ministria e Drejtësisë thonë se kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e ligjeve i vlerëson vetëm Gjykata Kushtetuese dhe askush tjetër.

“Sa i përket mbikëqyrjes së jashtëzakonshme nga Inspektorati për përdorimin e gjuhëve, ju njoftojmë se ajo është kryer pa bazë ligjore, pa iniciativë, pa urdhër me shkrim dhe pa arsyetim për veprim sipas detyrës zyrtare. Një veprim i tillë përbën shkelje serioze, krijon precedent dhe tregon se organi ka vepruar jashtë kompetencave të tij ligjore, duke vënë në pikëpyetje rendin juridik dhe mbrojtjen e interesit publik”, thanë nga Ministria e Drejtësisë.

Çështja e provimit të jursprudencës në gjuhën shqipe po përcillet me bujë të madhe ditëve të fundit pasi 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkojnë nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj.

Pas kësaj ka pasur reagime dhe përplasje të shumta politike.

BDI dhe dy Aleancat për Shqiptarët kanë kritikuar qeverinë, BDI madje dorëzoi edhe propozim-ligj, ndërkaq VLEN në pushtet premtoi se do ta zgjidhin këtë çështje. LSDM-ja tha se e përkrah që provimi të jepet edhe në shqip.

Ministria e Drejtësisë mbeti e qëndrimit se provimi nuk mund të mbahet në shqip.

Kryeministri tha se studentëve duhet t’u mundësohet provimi edhe në shqip ndërsa më pas më pas tha se Ligji aktual nuk e lejon provimin e jurisprudencës në shqip dhe se është i gatshëm ta rregullojnë, por vendimin do ta japë Komisioni i Venedikut.

Pati përplasje edhe midis zëvendëskryeministrit Bekim Sali dhe ministrit të Drejtësisë Igor fillkov.

Në ndërkohë Avokati i Popullit ka hapur lëndë për këtë rast, ndërsa Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve kreu inspektim të jashtëzakonshëm, ku pritet të dalin me gjetjet.