BMW-ja po planifikon t’i largojë 8 mijë punëtorë në Gjermani, në zhvillimet e fundit të prodhuesve të mëdhenj të veturave në Evropë që po ulin kostot nën presionin e rivalëve kinezë, shkruan The Guardian.

Kompania me seli në Munih ka nisur programin për pushim vullnetar të dakorduar me përfaqësuesit e punonjësve, ka bërë të ditur një zëdhënës i BMW-së. Largimi i punëtorëve do të prek divizionet e administratës dhe zhvillimit, por jo atë të operacioneve të prodhimit.

Fuqia punëtore totale e BMW-së është rreth 160 mijë. 

Prodhuesit e veturave të Gjermanisë janë vënë nën presion të madh vitet e fundit me rritjen e konkurrentëve kinezë që kanë dominuar shpejt tregun e automjeteve elektrike. Prodhuesit kinezë kanë nisur gjithashtu luftë të ashpër çmimesh në tregun e tyre vendas, i cili më parë kishte qenë burim fitimprurës i të ardhurave nga eksporti për markat evropiane, përfshirë BMW-në. 

Prodhuesit e veturave të Evropës gjithashtu kanë pasur nevojë të gjejnë para për kalimin nga benzina në elektrike dhe të përballen me ndikimin e tarifave të SHBA-së. Disa prodhues – përfshirë Volkswagen, Stellantis dhe Ford – janë drejtuar drejt partneriteteve me rivalët kinezë për t’i ndihmuar ata të ndërtojnë dhe shesin në Evropë.

Edhe Volkswageni, prodhuesi më i madh i veturave në Gjermani për nga vëllimi, konfirmoi të premten se do të shkurtojë deri në 100 mijë vende pune nga fuqia punëtore totale prej 650 mijë. Planet përfshijnë mbylljen e katër fabrikave dhe përgjysmimin e numrit të modeleve të prodhuara. Ngjashëm ka vepruar edhe Porsche.