Gazetar: Bashkim Sulejmani

Njëri nga katër personat e arrestuar në aksionin policor të Brvenicës, ku u kapën armë, municion dhe kokainë është lëshuar në arrest shtëpiak. Edhe pse gjykatësi i procedurës paraprake, i caktoi masën e paraburgimit 30 ditor, i njëjti pas vetëm disa ditësh, rrëzon masën e paraburgimit dhe e zëvendëson me arrest shtëpiak. Sipas informacioneve të Alsat ulja e masës së kujdesit është marrë mbi bazën e një garancie që i dyshuari ka ofruar prej 400 mijë eurove. Rasti është konfirmuar edhe nga Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës, nga ku pohojnë se kanë marrë njoftim zyrtar për lëshimin e të njëjtit në arrest shtëpie.

Prokuroria Themelore e Tetovës ka kundërshtuar vendimin për caktimin e masës së kujdesit arrest shtëpie, por këshilli penal në Gjykatën e Tetovës nuk e ka marrë parasysh. Edhe më të dyshimtë ndryshimin e masës së kujdesit e bën fakti që gjatë ankimimit, Gjykata e Apelit në Gostivar nuk e ka marrë në konsideratë as ankesën e organit të akuzës, gjë që i ka mundësuar të akuzuarit të mbetet në arrest shtëpie. Jo zyrtarisht mësohet se në këshillin penal të Apelit ka qenë edhe kreu i gjykatës.

Personi në fjalë, është arrestuar për veprën penale prodhim tregtim dhe lëshim në treg të narkotikëve, dhe tek i njëjti, është gjetur kokainë në sasi prej 2.5 gramësh. I dyshuari është lëshuar në paraburgim shtëpiak, ende pa përfunduar hetimi i policisë, dhe pa u dërguar raporti në polici.

Sipas informatave të televizionit Alsat brenda MPB-së, për rastin në fjalë, lënda do të zgjerohet, sepse pas kontrollit në celularët e personit të lartë përmendur, brenda tyre janë gjetur video përmbajtje ku pjesëtarë të SPB së Tetovës bashke me të akuzuarin, shihen duke gjuajtur me armët zyrtare nëpër festa të ndryshme, madje nën ndikimin e alkoolit, persona këto të cilët pritet së shpejti të arrestohen dhe t’i nënshtrohet procedurave penale që mund t’i con ato deri në përjashtim nga puna dhe dënime me burg. /Alsat.mk

The post Njëri nga të dyshuarit si pjesë e grupit kriminal nga Bërvenica, del nga paraburgimi appeared first on Alsat.