Shumica e njerëzve marrin më shumë se gjysmën e kalorive ditore nga ushqimet e shumë-përpunuara (UPF). Këto produkte janë ushqime të ëmbla të pjekura, si biskota, torta, petulla e produkte te tjera me brumëra e sheqer.

Ato sigurisht shijojnë mirë, por sjellin kalori të tepërta, kripë, sheqer dhe yndyra të ngopura, ndërsa ofrojnë shumë pak vlera ushqyese që ndihmojnë shëndetin, si vitamina, minerale dhe fibra, ka shkruar EatingWell.

Studimet tregojnë se ushqimet e shumë-përpunuara mund të nxisin inflamacion kronik, ndaj dietologët këshillojnë të kufizohet konsumimi i ëmbëlsirave të gatshme për shëndetin afatgjatë.

Si mund të rrisin inflamacionin ëmbëlsirat e gatshme?

Ndryshojnë balancën e yndyrave të shëndetshme

“Ushqimet e shumë-përpunuara shpesh përmbajnë shumë yndyra omega-6 nga vajrat si soja, fara pambuku, luledielli dhe misri”, ka thënë Leslie Langevin, dietologe e licencuar.

Sipas saj, trupi ka nevojë për një sasi të caktuar omega-6, por kur konsumohen shumë ëmbëlsira të gatshme dhe pak omega-3, ky raport del jashtë balancës.

Gjithashtu, ëmbëlsirat mund të përmbajnë shumë yndyra të ngopura, të cilat lidheshin me sëmundjet e zemrës sipas American Heart Association.

Përmbajnë shumë sheqer të shtuar

Sheqeri i shtuar është një tipar i zakonshëm i ëmbëlsirave të gatshme.

Dietologia Ginger Hultin, ka thënë se konsumimi i lartë i sheqerit të shtuar mund të shkaktojë inflamacion dhe të ulë tolerancën ndaj glukozës, duke rritur rezistencën ndaj insulinës.

Dëmtojnë bakteret e zorrëve

Mikrobioma e zorrëve përbëhet nga triliona organizma që jetojnë në zorrë.

“Ushqimet e shumëpërpunuara mund të dëmtojnë mikrobiomën dhe aftësinë e zorrëve për të prodhuar acide yndyrore të dobishme”, ka shpjeguar Langevin.

Kjo mund të shkaktojë inflamacion të lehtë dhe të ndikojë në zhvillimin e sëmundjeve si sindromi i zorrëve irritabile, obeziteti, diabeti dhe problemet me mëlçinë dhe zemrën.

Zëvendësojnë ushqimet anti-inflamatore

Kur konsumohen shumë ushqime të shumë-përpunuara, shpesh zvogëlohet vendi në pjatë për ushqime të pasura me vlera ushqyese, si fruta, perime, arrore dhe peshk, të cilat ndihmojnë në uljen e inflamacionit kronik.

Ushqime që duhet të preferohen

Ushqime të pasura me omega-3: peshq të yndyrshëm si salmon apo sardele.

Ushqime me fibra: drithëra të plota, avokado, perime me gjethe të gjelbra, karrota, patate të ëmbla, mollë, boronica, arrore, fara, bishtajore.

Kafe dhe çaj: Një filxhan në ditë mund të ulë proteinën C-reaktive, një tregues i inflamacionit. Preferoni pa sheqer ose me qumësht me pak yndyrë ose bimor.

Të gjitha llojet e frutave dhe perimeve: Frutat dhe perimet me ngjyra të thella përmbajnë antioksidantë anti-inflamatorë si flavonet dhe antocianinat, por edhe perimet e bardha si qepa, hudhra dhe lulelakra kanë përbërës anti-inflamatorë.

The post Ushqimet që shkaktojnë inflamacion në trup appeared first on Alsat.