Fundi i këtij viti duhet të shënojë lëshimin në përdorim të objektit të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës. Megjithatë, punimet në fazën e dytë janë realizuar vetëm 35%, ndërsa Ministria e Kulturës ka ndarë vetëm 57 milionë denarë nga 300 milionët e nevojshme sipas dinamikës së parashikuar. Drejtoresha e Qendrës për Kulturë, Njomza Ismaili, thotë se me këtë ritëm do të duhen shumë vite që objekti të hapet, por shpreson se ribalansi i buxhetit do të mundësojë mjete shtesë.

“Këtë vit janë paraparë 57 milionë denarë deri në fund të vitit dhe me shpresë se kjo shumë nuk do të mbetet me kaq dhe në bashkëpunim me institucionet që kanë shprehë gatishmëri për të na ndihmuar, pasi që me 57 milionë denarë ky objekt nuk mund të ngitet në ndonjë përqindje vetë punëve që duhet të bëhen. Diku 35% flasim për fazën dytë dhe nëse vazhdohet më këtë ritëm është për keqardhje pasi objekti do të vazhdojë pa u hapur”, tha Njomza Ismaili – drejtoreshë e Qendrës për Kulturë – Tetovë.

Drejtori i Teatrit të Tetovës thotë se ndoshta janë i vetmi teatër në botë që nuk kanë objekt dhe kjo e bën punën e tyre shumë të vështirë.

“Realisht ne nuk mund të kemi repertor të rregullt për shkak të objektit, se në sallat e kulturës e kemi thënë me qindra dhe dhjetëra herë se ka shumë aktivitete dhe nuk mund të gjejmë sallën e lirë kur do që i nevojitet teatrit. Çdo teatër në botë e ka objektin vetë të teatrit, vetëm ne funksionojmë në kuadër të Pallatit të Kulturës dhe kjo është në mëshirë të fatit. Objekti duhet të kryhet shumë shpejtë, po me dinamikën që ka filluar besoj se edhe shumë gjatë kohë do të presim”, deklaroi Hasim Memishi – drejtor i Teatrit të Tetovës.

Objekti i teatrit të Tetovës filloi të ndërtohet në vitin 2014, ndërsa edhe sot nuk ka përfunduar. Faza e parë mbaroi vite më parë, ndërsa në Gjykatën e Tetovës është duke u zhvilluar një proces gjyqësor për keqpërdorime të mjeteve financiare. Biblioteka e Tetovës funksionon në hapësira të ngushta dhe të shpërndara. Në vitin 2025, për Qendrën për Kulturë u ndanë vetëm 11 milion denarë.