Një avion ushtarak amerikan për furnizim me karburant në ajër është rrëzuar gjatë një incidenti ajror në pjesën perëndimore të Irak, njoftoi Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM).

Sipas autoriteteve amerikane, ngjarja ka ndodhur gjatë operacionit ushtarak të quajtur “Epic Fury”, ndërsa në incident janë përfshirë dy avionë.

Njëri prej avionëve është rrëzuar në Irakun perëndimor, ndërsa avioni i dytë ka arritur të ulet në mënyrë të sigurt. Autoritetet kanë bërë të ditur se ekipet e kërkim-shpëtimit janë angazhuar në terren për të gjetur ekuipazhin.

Zyrtarët amerikanë theksuan se incidenti nuk ka ndodhur si pasojë e zjarrit armik apo zjarrit miqësor.

Ndërkohë, autoritetet kanë bërë të ditur se më shumë informacione do të publikohen në vazhdim, pasi të sqarohen plotësisht rrethanat e incidentit.