Derisa kreu i VLEN-it mbrëmë darkonte në iftarin e shtruar nga kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i tyre Fatmir Limani kishte udhëtuar për në Tiranë për të darkuar me kryeministrin Edi Rama. Bujë të madhe nëpër rrjetet sociale bënë fotografitë e shpërndara ku Limani i shoqëruar me ambasadorin Denion Meidani, është fotografuar me dyshen opozitare Ali Ahmeti e Arben Taravari. Dëshpërimi nuk fshihet nga VLEN. Bilall Kasami i cili paraprakisht u përplas hapur me Limanin nën akuza se punon më shumë për VMRO-në se për VLEN-in thotë se Limani nuk ka qenë i deleguari i tyre, ndërsa kërkon sqarim, paralajmëron dhe diskutim për shkarkim.
“Sigurisht që mbetet vet zotëri Limani këto ditë të sqarojë qëllimin dhe atë se pse është ulur në një tavolinë me Ali Ahmetin, të cilin ai vetë ka deklaruar se me asnjë farë kushti nuk do të ishte ulur bashkë me ata të cilët i ka akuzuar si vrasës të babait të tij…”, deklaroi Bilall Kasami, VLEN.
“Në kuadër tanimë të VLEN-it duhet ta diskutojmë edhe pozicionimin edhe të tij dhe shumë të tjerëve”.
Sqarimi i Limanit është se në sofrën e Ramës, ka qenë i ftuar si përfaqësues i qeverisë, ndërsa mohon zërat se vizita është bërë për politikë.
“Në kulturën tonë, nikoqiri është ai që përcakton rendin e sofrës dhe vendet e mysafirëve. Në një tryezë mikpritjeje nuk shkohet për të bërë kalkulime politike dhe për të prishur sofrën, por për të respektuar traditën, mikpritjen dhe momentin e përbashkët njerëzor”.
Megjithatë shoqëria e tij me krerët e opozitës, ka lënë hapësirë që në opinion të rikujtohet deklarata e tij në mbrëmjen që Kasami e shkarkoi tërë Kryesinë e Lëvizjes Besa, përfshirë dhe Limanin, i cili në porosinë e tij drejt Kasamit, kishte matur fuqinë e tij politike me numrin e deputetëve që e kanë opozitarët Ahmeti-Taravari.
“Në rast se Limanin e shohin si individ, Limani nuk është individ, por mund të jetë nesër 15 deputetë”.
Ndërkohë në rrjetet sociale, Limani sot ka shpërndarë disa fotografi të një takimi me homologen Albana Koçiu. Ndonëse Limani këtë vizitë e kumton si të rëndësishme për bashkëpunimin Maqedoni-Shqipëri në fushën e politikës sociale, fotografitë duket se përcjellin dhe kumbojnë porosi politike. Sidomos me prezencën e pazakontë të ambasadorit Meidani, i cili ka qenë target i akuzave për dalje nga petku diplomatik, në mbështetje të opozitës.
Afërsia Meidani-Limani u pa edhe mbrëmë, derisa darkuan krahë njëri tjetrit, derisa Ahmeti ishte në krah të Ramës.
VLEN nuk tregojnë nëse Rama ka ftuar ndonjë personalitet tjetër në iftar, duke i cilësuar ftesat si personale dhe që iftaret nuk duhet të shndërrohen në zhvillime politike. Megjithatë, zhvillimet e fundit politike brenda ASH-së së VLEN-it, që përjashtuan Arben Fetain nisën pikërisht me iftaret e Azir Aliut dhe Mimoza Musës në Vrapçisht, e në të cilat për herë të parë u promovua dhe transferi i Ilir Demirit./Alsat.mk.
The post Përplasje VLEN në iftar te Mickoski, Limani te Rama appeared first on Alsat.
