Ulje e çmimit të naftës dhe derivateve të naftës për rreth 2 e gjysmë denarë për litër, paralajmëroi kryeministri Hristijan Mickoski pasi ditë më parë çmimi u ngrit deri në 14 e gjysmë denarë. Ai sqaroi se për këtë ulje kanë punuar me kompaninë OKTA, nga ku u dakorduan që kompanitë me të cilat bashkëpunojnë të japin zbritje rreth 45 deri 50 dollarë për ton, dhe pompave të benzinës t’u shitet me atë çmim, që do të thoshë ulje e çmimit të naftës. Ai po ashtu ritheksoi se vendet e tjera kanë çmime më të larta të benzinës dhe prandaj vijnë në vendin tonë për të furnizuar me karburante më të lira.
“Litri i dieselit te ne do të jetë 1,35 euro, në vendet fqinje për shembull në Serbi është tashmë mbi 1,80, në Shqipëri është 1,80, në Kosovë mbi 1,50-1,60 euro, në Evropë tashmë mbi 2 euro, diku në vendet e Bashkimit Evropian dizeli është 2,2 euro. Tani kemi besoni presion të madh nga qytetarët e vendeve fqinje në vendet kufitare në jug, perëndim dhe veri ku vijnë të furnizohen me karburante”, tha Mickoski.
Kryetari i LSDM-së Venko Filipçe me kritika ndaj qeverisë. Thotë se në vend që të merren masa për të mbrojtur qytetarët nga tronditjet e çmimeve nga shtrenjtimi i karburanteve, qeveria dëshiron të përfitojë shtesë.
“Shikoni çmimet në markete, shikoni çmimin e energjisë elektrike. Karburantet janë shtrenjtuar jashtëzakonisht. Çfarë duhet të bëjnë njerëzit? Mickoski thotë nuk duhet të shkojnë në pushime. Më pas do të thotë nuk duhet as të hanë”, deklaroi Filipçe.
Për shkak të rritjes së çmimit të benzinës disa nga produktet ushqimore tashmë janë shtrenjtuar. Si do të stabilizohen çmimet e naftës, dhe me këtë edhe të produkteve në markete, Mikcoski thotë se do të ulet përqindja e TVSH-së, por jo e akcizës.
“Do të shkojmë me ulje të përqindjes së tatimit mbi vlerën e shtuar nga 18 në 10 për qind, pastaj kemi edhe një masë tjetër nga 10 në 5 për qind, por kjo do të varet nga çmimi se si do të lëvizë”, deklaroi Mickoski.
Për shkak të krizës dhe veprimeve ushtarake në Lindjen e Mesme çmimi i naftës është rritur ndjeshëm, gjë që shkaktoi tronditje çmimesh edhe në vendin tonë. Qytetarët u përballën me mungesë të naftës pasi në pompave të benzinës nuk mund të blinin karburante.
