Qeveria e uli TVSH-në për karburantet, por nuk miratoi masa konkrete për të ndihmuar kategori të caktuara të qytetarëve, theksoi sot lideri i opozitës Venko Filipçe. Sipas Filipçes, Qeveria duhet të përgatis pako të veçanta për të mbështetur qytetarët në nevojë, personat me aftësi të kufizuara, pensionistët më të varfër, punëtorët me të ardhura të ulëta dhe familjet me fëmijë të shumtë.

“Qeveria nuk ka miratuar asnjë masë për të ndihmuar kategori konkrete qytetarësh, ndërsa shohim se si po veprojnë vendet e rajonit. Nevojiten masa si ato që Qeveria jonë mori gjatë kohës së krizës, gjatë krizës COVID dhe krizës energjetike pas fillimit të luftës në Ukrainë, sepse me masa direkte për qytetarët më të cenueshëm – ata që më shumë ankohen sepse nuk mund të sigurojnë ushqimin – si pensionistët më të varfër, personat me nevoja sociale, familjet me fëmijë të shumtë dhe punëtorët me pagë të ulët – duhet të marrin ndihmë nga shteti”, tha Filipçe.

Ai shtoi se Qeveria mund të ndjekë shembullin e Kroacisë, ku, përveç kufizimit të çmimeve të karburantit dhe gazit, kategori të caktuara qytetarësh – bujq, peshkatarë dhe të tjerë në nevojë sociale – morën ndihmë konkrete.

“Bëj apel që Qeveria të pranojë masat tona që do të japin rezultat, që përveç uljes së TVSH-së për karburantet, të ulet TVSH-ja për produktet bazë ushqimore në zero për qind, të ulet akciza për 4 denarë, dhe atëherë do të ketë një ulje reale të çmimeve që do ta ndiejnë qytetarët dhe kompanitë, sepse nuk do të ndikojë në zinxhirin shtesë të rritjes së çmimeve. Nevojitet ulje e çmimeve të rrugëve me pagesë, pako të veçanta për kategori të caktuara qytetarësh – për qytetarët në nevojë sociale, personat me aftësi të kufizuara, pensionistët më të varfër, punëtorët me të ardhura të ulëta dhe familjet me fëmijë të shumtë – të gjithë këta duhet të marrin mbështetje nga Qeveria”, theksoi Filipçe.