Gazetare: Fatlume Dervishi

Ideja e Badenterit në Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të shuhet që në fillim. Kreu i Kuvendit Afrim Gashi thotë se kur flitet për reforma në Gjykatën Kushtetuese duhet të shihet edhe kjo mundësi nëse është në funksion të sjelljes së vendimeve në interes të qytetarëve.

“Mendoj se çështja e Badenterit në Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të jetë tabu temë. Mendoj që duhet të diskutohet nga disa dimenzione, nga dimenzioni politik dhe profesional. Mbi të gjitha duhet ta kemi parasyh që Gjykata Kushtetuese duhet të jetë funksionale dhe cilësore në sjelljen e vendimeve për të cilat edhe është formuar, në funksion të mbrojtjes së Kushtetutës dhe kushtetutshmërisë së ligjeve”, deklaroi Afrim Gashi, Kryetar i Kuvendit.

Duke komentuar qëndrimet politike të kryeministrit Hristijan Mickoski se për momentin nuk ka kushte për ndryshime kushtetuese për reforma në Gjykatën Kushtetuese, përfshirë edhe inkorporimin e padisë kushtetuese si opsion për mbrojtjen e të drejtave themelore, Gashi tha është çështje që mbetet në duart e partive politike.

“Hapja e Kushtetutës është çështje e ndjeshme, para së gjithash çështje e marrëveshjes mes partive politike. Ju e dini se në Kuvend 2/3 e deputetëve duhet të merren vesh për hapjen e Kushtetutës. Unë nuk do ta komentoja, do ta lejoja që partitë politike të vendosin se kur kjo duhet të ndodhë dhe për cilat çështje”, theksoi Afrim Gashi, Kryetar i Kuvendit.

Kuvendi pret që në periudhën e ardhshme të dorëzohen disa nga ligjet e rëndësishme reformuese. Në procedurë për momentin janë ligji për prokurorinë publike dhe ligji për këshillin e prokurorëve. /Alsat.mk.

The post Badenteri në Gjykatën Kushtetuese, sipas kreut të Kuvendit Afrim Gashi, nuk duhet të jetë tabu temë appeared first on Alsat.